Në natën tragjike në një restorant në Graçanicë, përveç familjes Murseli ishte edhe Granit Plava, personi që dyshohet se e vrau Liridonën. Ai u largua nga aty para tyre me veturën që u pa edhe në vendin e ngjarjes.
Sa herë që vinte në Kosovë, Liridona Ademaj ishte mysafire e rregullt e një restoranti në Graçanicë. Aty, ajo shkoi edhe në mbrëmjen e 29 nëntorit, bashkë me burrin Naim Murseli dhe dy djemtë e saj.
Por 33-vjeçarja nuk ishte në dijeni se vetëm pak tavolina më tutje, po hante darkë Granit Plava, personi që dyshohet se u pagua nga Naim Murseli për ta vrarë Liridonën. Ai kishte porositur “pleskavicë” dhe ndërkohë që hante e vëzhgonte tavolinën ku Naim Murseli ishte bashkë më familjen.
Plava është ngritur pak minuta më herët sesa familja Murseli të largohet nga restoranti. Pas dy orë qëndrimi në restorant, kamerat e sigurisë filmuan momentin e largimit dhe pamjet ndodhen në polici.
Policia e Kosovës identifikoi se Plava u largua me veturën e njëjtë që ishte parë edhe tek vendi ku ndodhi ngjarja tragjike e 29 nëntorit. Plava po priste tek një vend në Bërnicën e Epërme të cilët banorët e quajnë Sinidoll e që gjendet në periferi të Prishtinës, aty ku familja Murseli kishte blerë një shtëpi.
Në vendngjarje gjendet një kthesë e madhe, që detyron shoferët të ndalojnë shpejtësinë e lëvizjes. Madje pak metra më tej, rruga është e dëmtuar që domosdo automjeti duhet të lëvizë ngadalë. T7 ka qëndruar të martën në restorantin ku Naim Murseli ka ngrënë darkën e fundit me familjen e tij, por ata nuk kanë dashur të komentojnë asgjë lidhur me këtë rast.