Eksperti serb i sigurisë, Darko Trifunoviq, ka deklaruar për një televizion serb se, “i njëjti lloj i armatimit që i është gjetur Vela Nevola-s, është gjetur edhe të grupi i Milan Radoiçiqit në Kosovë”.
Vela Nevola, i njohur si Belivuk, është njëri nga kriminelët serbë më të tmerrshëm, i cili ka pasur lidhje me kreun e shtetit të Serbisë, dhe i cili, ndër të tjera, është akuzuar se ka zhdukur trupat e pajetë të viktimave të tij, duke i bluar në makina mishi.
Ai ka ngritur dyshime se Serbia është plotësisht e kriminalizuar, duke shtuar që njerëz të tillë po i helmojnë të rinjtë serbë me lëndë narkotike.
Në të njëjtin emision, ai ka shtuar se “Si është e mundshme që një gram narkotiku të jetë më i lirë në Beograd, sesa në Tiranë apo Prishtinë?”
Lidhur me përdorimin e narkotikëve në Serbi, ai ka thënë se çdo i gjashti fëmijë në Serbi është shpërndarës i narkotikëve.
Trifunoviq ka thënë se këto të dhëna lidhen me grupet ultra të tifozëve serbë, të cilët janë shndërruar në mafiozët më të mëdhenj në Serbi. Dihet mirëfilli se grupet e tifozëve ultra në Serbi kanë lidhje me shërbimet sekrete të këtij vendi dhe me piramidën më të lartë të shtetit.
Trifunoviq, që dikur ka qenë pjesë e shërbimeve serbe të inteligjencës, është i njohur për qëndrimet kritike të lidhjeve të Serbisë me Federatën Ruse.