Shaip Kamberi merr mandat të ri në Kuvendin e Serbisë - Ja rezultatet edhe për kandidatët e tjerë shqiptarë

Lajme

Shaip Kamberi merr mandat të ri në Kuvendin e Serbisë - Ja rezultatet edhe për kandidatët e tjerë shqiptarë

Nga: Bota sot Më: 17 dhjetor 2023 Në ora: 07:22 Përditësuar në ora: 14:57 më 17.12.2023
Shaip Kamberi me anëtarët e Partisë për Veprim Demokratik

Zgjedhjet në Serbi, shtohet numri i policëve në pikat kufitare

Një numër i konsiderueshëm i serbëve që jetojnë në Kosovë kanë udhëtuar sot për në Serb, për të marrë pjesë në zgjedhje.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se ka shtuar numrin e personelit policorë në pikat kufitare.

Ky shtim i numrit të policëve është bërë për të shmangur pritjet në kufi.

“Zgjedhjet që po mbahen sot në Serbi, kanë bërë që disa qytetarë të Republikës së Kosovës të udhëtojnë drejt Serbisë, andaj me qëllim që të sigurohet një qarkullim i lirë i qytetarëve të cilët
udhëtojnë për në Serbi.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e duhura në mënyrë që liria e lëvizjes të jetë e garantuar. Po ashtu policia edhe në pikat e kalimit kufitar ka ndërmarrë hapa konkret përfshirë edhe shtimin e personelit policorë për të përballuar më shumë kalime kufitare se ditëve të tjera”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se “të gjitha angazhimet policore në terren, përfshirë ato kufitare do të zbatohen sipas procedurave të parapara ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mundësimit të qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”.

“Për shkak të fluksit të qytetarëve dhe procedurave kufitare, ka ndikuar në krijimin e disa pritjeve të kalimit kufitar në disa pikë kalime kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, ku për të shmangur këto pritje Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë, në mënyrë që të kemi një menaxhim sa më efikas të kufijve shtetëror ashtu siç parashihet edhe me MIK, (menaxhimi i integruar i kufirit)”, vijon njoftimi.

Policia e Kosovës, sipas mandatit të saj ligjor e kushtetues dhe sipas planifikimeve operacionale, do të kujdeset për ruajtjen e rendit kushtetues, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve të cilët në mënyrë të organizuar apo çfarëdo forme tjetër do të lëvizin brenda Republikës së Kosovës për në drejtim të Serbisë dhe anasjelltas.

Serbia sot po mban zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Deri më tash sipas raportimeve nga mediat serbe, pjesëmarrje e qytetarëve në këto zgjedhje deri në orën 12:00 ka qenë 21.33%.

​Sinani: Ta shfrytëzojmë votën tonë për të deleguar njerëzit e duhur

Ardita Sinani, këshilltarja për Luginë të Preshevës të kryeministrit Albin Kurti, ka ftuar të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

Pas votimit në njësinë zgjedhore më të madhe në Preshevë, Sinani tha se Parlamentin e Serbisë duhet të delegohen njerëz që mbrojnë interesat e shqiptarëve të luginës.

Sinani: Ta shfrytëzojmë votën tonë për të deleguar njerëzit e duhur

"Unë ftoj të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës që masovikisht të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, pavarësisht diskriminimit të vazhdueshëm, shtypjes masive, shkeljes sistematike e cila i bëhet shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga Beogradi zyrtar. Ne si qytetarë të Luginës së Preshevës duhet të shfrytëzojmë votën tonë, për të përfaqësuar dhe për të deleguar njerëzit e duhur, njerëz cilësor të cilët mbrojnë interesat e qytetarëve të Luginës. Njerëz cilësor dhe që janë të rreshtuar drejt për të mbrojtur interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Andaj sa më shume të jemi proaktiv ndaj të gjitha këtyre diskriminimeve të vazhdueshme duhet të jemi më pro-aktiv", tha Sinani.

Ish- kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani nuk komentoi akuzat e kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili tha se fajtor për përçarjen në luginë është kryeministri Albin Kurti.

Sinani: Ne sot do të festojmë

"Sot është ditë feste ne sot do të festojmë, të gjitha këto që i përmendet ju janë të pavërteta. Ne sot nuk e kemi të drejtën të merremi me komente të tilla dhe nuk na i lejon etika se duhet të festojmë. Nuk duhet të thyejmë heshtje për të bërë politikë", shtoi ajo.

Në Luginë të Preshevës sot po votohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi. Shqiptarët po garojnë me dy lista. 

​4.8 % e qytetarëve votojnë në Preshevë deri në orën 12:00

4.8 për qind është pjesëmarrja e qytetarëve të Preshevës në votim.

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor të Preshevës, Alban Mehmeti njoftoi se deri në këtë kohë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës mbi 2000 mijë qytetarë.

"Në Preshevë deri në orën 12:00, kanë votuar 2100, apo 4.8 për qind e qytetarëve", tha Mehmeti.

Në Preshevë të drejtë vote kanë 43 mijë e 500 votues. Në këtë komunë votohet në 38 qendra të votimit.

8.6 % e qytetarëve votojnë në Bujanoc deri në orën 12:00

Në Bujanoc deri në orën 12:00 kanë votuar 8.6 për qind e qytetarëve.

Kështu bën të ditur kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Bujanoc, Fejzi Beqiri.

"Në Komunën e Bujanocit, 42786 qytetarë kanë të drejtë vote në 59 qendra të votimit.

Deri në orën 10:00 kanë votuar 3.74 për qind. Ndërkaq, deri në orën 12:00 kanë votuar 8.67 për qind", njoftoi ai.

​Voton Memeti, fajëson Kurtin për bojkot të qytetarëve

Bartësi i listës "Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar", Visar Memeti ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për përçarje në Luginë të Preshevës.

Ai pasi ka votuar deklaroi se qytetarët po i bojkotojnë këto zgjedhje.

Memeti: Qytetarët në Preshevë janë duke bojkotuar zgjedhjet

"Sot është dashur qytetarët të japin fjalën e tyre, fjalën e fundit dhe të tregojnë se kush duhet apo të vendosin se kush duhet të na përfaqësojë neve në Parlamentin e Serbisë. Mirëpo siç po shihet është duke ndodhur e kundërta, ata janë duke i bojkotuar këto zgjedhje dhe një prej arsyeve që është duke ndodhur ky bojkot është përçarja e spektrit politik këtu në Luginë të Preshevës", deklaroi ai.

Memeti shtoi se spektri politik duhet të reflektojë që kjo qasje është e gabuar edhe duhet të garojë në një listë të vetme.

Memeti: Kurti ka bërë ndarjen që nuk e kemi pas në 2020

"Kush sheh televizor këto ditët e fundit e ka shumë të qartë, nuk është nëse e përkrahi unë mendimin e kryetarit tim apo nuk e përkrahi... Po (është faji i Kurtit), sepse është i radhitur në një pjesë të elitës politike këtu në Luginë të Preshevës dhe ka bërë një ndarje të cilën nuk e kemi pasur në vitin 2020", shtoi ai.

Në Luginë te Preshevës sot votohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, ku shqiptarët garojnë me dy lista të ndara. /

​Kamberi: Kosova e Shqipëria s’kanë faj që shqiptarët po garojnë në zgjedhje me dy lista

Në fshatin Tërnoc të Madh të Bujanocit ka votuar Shaip Kamberi. Deputeti i vetëm shqiptar gjatë mandatit të kaluar në Parlament të Serbisë, është optimist që gjatë ditës do të ketë dalje masive të qytetarëve për votim dhe se do të arrihen votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputet.

Lista "Beteja politike e shqiptarëve vazhdon-Shaip Kamberi", udhëhiqet nga Shaip Kamberi. Ai tha se sot nuk është koha për vajtim por për të ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Kamberi: Besoj që masovikisht t'i përgjigjen ftesës për zgjedhje

"Besoj që në ditët e fundit të fushatës një intensifikim më i madh ka qenë në terren, takimet e tona me njerëz, ku kemi arsyetuar rëndësinë e daljes dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare. Kemi informacione që janë qytetarët tanë që punojnë në Kosovë, janë sot duke mbërritur sot në Luginë të Preshevës për të dhënë votën e vet sepse ne duhet të kemi një përfaqësim dhe ai përfaqësim shprehet përmes votës së lirë. Qytetarët e kanë mundësinë sot të zgjedhin. Besoj që masovikisht t'i përgjigjen ftesës për zgjedhje", deklaroi Kamberi.

Kamberi shtoi se Kosova e Shqipëria nuk kanë faj që shqiptarët po garojnë në këto zgjedhje me dy lista.

"Të shohim ndoshta moti i ftohtë, dimri, dita e shkurtër çfarë ndikimi mund të ketë. Megjithatë, unë besoj që ne do të arrijmë të kalojmë censusin e nevojshëm për të pasur një mandat....Sot është koha e zgjedhjeve, sot është koha për të motivuar njerëzit, për të mos kërkuar fajtorin. Gjithë ata që marrin pjesë duhet të bindin elektoratin e vet për rëndësinë e pjesëmarrjes dhe t'i ftojë ata të dalin. As Kosova dhe as Shqipëria nuk mund të ketë faj, se edhe Kosova edhe Shqipëria kanë bërë përpjekje, në radhë të parë Kosova që ka nisur këtë proces, për të unifikuar një listë, nuk është arritur dhe tash nuk kemi kohë të vajtojmë sot", shtoi Kamberi.

Ai u shpreh optimist se do të arrijë të fitojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

Kamberi: Pjesëmarrja jonë në listën e përbashkët të pesë partive është optimiste

"Në politikë nuk ka vend për pesimizëm, ose duhet ta lësh profesionin. Prandaj edhe vet pjesëmarrja jonë në listën e përbashkët të pesë partive është optimiste", përfundoi ai.

Shaip Kamberi ishte deputeti i vetëm shqiptar i zgjedhur në mandatin e kaluar në Serbi. 

​Bojkoti i zgjedhjeve nga qytetarët e Luginës, Arifi: Përçarja po ndodhë me mbështetjen e Kurtit

Në fshatin Tërnavë të Preshevës ka votuar kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi. Bartësi i listës "Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, deklaroi se numër i vogël i qytetarëve kanë votuar deri më tani për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Ai tha se kjo ndodhë për shkak të përçarjes së shqiptarëve dhe garimit në dy lista të ndara.

Arifi: Shqiptarët duket se po bojkotojnë zgjedhjet

"Është fatkeqësi që ne e shohim sot, kemi kaluar tani mbi tre orë që janë hapur vendvotimet edhe ajo të cilën edhe e kam paralajmëruar edhe më herët, që shqiptarët qysh në 2022 kanë bojkotuar (zgjedhjet), sepse kemi qenë të përçarë. Po duket qe sivjet edhe një herë më shumë po duket që po bojkotojnë përçarjen tonë të cilën e kemi me dy lista në zgjedhje. Është një fatkeqësi siç po e shihni dhe ju vet nuk ka kurrfarë grumbullimi, kështu është edhe në 38 vendvotimet tjera", deklaroi Arifi.

Pas votimit, Arifi shtoi se bojkoti nga qytetarët është faturë ndaj lidershipit shqiptarë.

Sipas tij, ka ardhur fundi i politikave egocentrike në Luginë të Preshevës.

Arifi: Përçarja në Luginë të Preshevës po bëhet me mbështetje të fortë të kryeministrit Kurti

"Përçarja që dy vite po ndodhë në Luginë të Preshevës, kjo me mbështetje të fortë të kryeministrit Kurti, sepse nuk është përçarje që ne e kemi dashur por është përçarje që na i ka sjellur Kurti. Pra nuk është diçka që ne e kemi kërkuar që me njëri-tjetrin të bëjmë. Sepse në 2020 e patëm listën e unifikuar, aty kemi mundur të bashkohemi. Në dy vitet e fundit përçarja ka ndodhur fuqimisht e mbështetur edhe nga Kurti. Dhe sot ia japim faturën edhe Kurtit", shtoi ai.

Bartësi i listës "Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar", nuk shprehet optimist se do të ketë përfaqësues shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

Arifi: Dërgimi i një deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, duket shumë e paarritur

"Atmosfera është shumë e dobët për të dërguar një deputet atje sepse nuk ka faj votuesi, e kemi fajin ne, po e shti edhe vetën edhe pse kam dhënë gjithçka për t’u unifikuar, por është një politikë egocentrike, e cila mbështetet nga Kurti tash dy vite dhe sot është rezultati. Ju thoni 10 mijë apo 11 mijë, por unë them edhe varësisht dajes në tërë Serbinë, ndoshta mund të jetë numri edhe më i lartë për të dërguar një deputet në parlament, kështu që kjo duket shumë e pa arritur", përfundoi kryetari i Preshevës.

Serbia sot po mban zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ku shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me dy lista.

Këto janë zgjedhjet e katërta të jashtëzakonshme që nga ardhja në pushtet të Partisë Progresive Serbe në vitin 2012.

Zgjedhjet në Serbi/ Vuçiç voton në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale: Presim fitore absolute

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka votuar sot në kuadër të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale që po zhvillohen në Serbi.

“Pres një pjesëmarrje shumë të mirë. Ne krijuam një turmë këtu, më të madhe se sa do të ishte zakonisht. Pres një pjesëmarrje të mirë dhe një fitore vendimtare. Shpresoj që të gjithë të përfshirë në zgjedhje të sillen në mënyrë racionale dhe të përgjegjshme, edhe pse nuk jam i sigurt për këtë”, tha ai.

“Unë pres që Serbia në të ardhmen do të ketë shumë punë të rëndësishme. Ka shumë për të bërë.

Kur them ‘fitore vendimtare’ Besoj se aleanca “Serbia nuk duhet të ndalet” (aleanca zgjedhore ku bën pjesë edhe Partia Progresive Serbe e Vuçiqit) do të ketë ose do të jetë afër shumicës absolute. Mendoj se kjo është një detyrë e rëndësishme, një kërkesë madhore që Serbia të vazhdojë në rrugën e përparimit dhe suksesit”, shtoi ai.

Serbët lokal drejt Beogradit, krijohen kolona të gjata në kufi

Kolona të gjata të automjeteve janë krijuar mëngjesin e sotëm në pikë kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto kolona janë krijuar për shkak se qytetarët serb lokalë po shkojnë për të votuar në Serbi, ku sot po mbahen zgjedhjet.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolona më të gjata vërehen në pikën kufitare në Jarinjë.

Sipas raportit të fundit të kësaj qendre, në Jarinjë kolona në dalje është 5 mijë metra dhe pritjet janë deri në 2 orë.

Po ashtu edhe pikën kufitare Dheu i Bardhë kolona në dalje është 1 mijë metra dhe pritjet janë gjithashtu 2 orë. 

Zgjedhjet në Serbi: Shqiptarët garojnë të ndarë, me dy lista

Sot në Serbi do të mbahen dy palë zgjedhjesh të jashtëzakonshme, lokale dhe parlamentare.

Të drejtë vote kanë edhe shqiptarët nga Lugina e Preshevës.

Por, gara e liderëve politik shqiptarë atje do të jetë e ndarë.

Ata do të garojnë me dy lista.

“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.

Të drejtë vote në Serbi, kanë mbi 6.5 milionë qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat