Eksperti i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Drizan Shala, tha se zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, duhet të jenë mesazh i qartë për faktorin ndërkombëtar.
Pas përfundimit të zgjedhjeve atje, partia e Vuçiq ka kryesuar me 46.6% të votave, me ç’rast, Shala vlerësoi që pa marrë parasysh situatës, presidenti serb përsëri arriti ta luajë rolin e një dirigjenti.
“Kjo paraqitje, është mesazh për faktorin ndërkombëtar, që pavarësisht se Aleksandar Vuçiq, nuk ishte në listën e zgjedhjeve, pavarësisht që ai nuk ishte fare protagonist i këtyre zgjedhjeve, ai e luajti rolin e një dirigjenti, i cili e dha taktin e komunikimit me votuesit. Vetë Bashkimi Evropian dhe gjermanët, e kanë kontestuar komplet procesin zgjedhor. Esenca mbetet tek mesazhi që është përçuar me marrjen e mbi 75 përqind të votuesve të komunitetit serb në Kosovë. Ky është një mesazh edhe për Qeverinë e Kosovës në njërën anë”, deklaroi Shala në emisionin “Këndi i Debatit”.
Ndërkohë, opozita ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve pasi pretendojnë që ka pasur vjedhje të votave.
Kurse, Bashkimi Evropian pret që autoritetet e Serbisë t’i shqyrtojnë në mënyrë transparente raportet e besueshme për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit.