Deputetja e Lëvizje Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, e ftuar mbrëmë në emisionin DPT te Fidani ka treguar momentin e saj më të vështirë gjatë luftës.
Deputetja e VV-së tregoi se si një mjek serb ia ka hequr “shipkën” e metalit nga dora, pasi kishte krahun e lënduar, dhe kjo gjë kishte ndodhur pa anestezion.
“Momenti më i keq ka qenë kur e kom pas shipkën e metalit në dorë, në pjesën e krahut, edhe kur ma ka hek pa anestezion, veç ma ka ngrehë. Njëjët ka ndodhur edhe me vajzën e axhës, por që asaj nuk kanë mundur t’ia heqin pasi e ka pasur më të lënduar, por që ka pasur tentativë”, tha Bogujevci.
Deputetja nga VV, ka treguar se gjithmonë do ta kujtojë gjenocidin që kreu Serbia në Kosovë, por e fortë, e ka tejkaluar, ndonëse ka shtuar se duhet drejtësi dhe dënime për Serbinë.
Bogujevci, e cila vet ka qenë e plagosur në luftën në Kosovë nga serbët, ka thënë se vështirësi e madhe ka qenë përjetimi i fëmijëve atë kohë.
“Ekziston prapë një lloj shprese se kjo do të kalojë. Por kemi pasur edhe frikë vdekjen”, tha ajo.
“Nuk duhet harruar e kaluara, ajo duhet të na shërbejë për të ardhmen – jo si dëshpërim”, tha ajo.