Politikania serbe, Rada Trajkoviq, ka reaguar sot ndaj qëndrimit të ambasadorit amerikan, Christopher Hill, lidhur me procesin zgjedhor të mbajtur në Serbi e për të cilin organizatat monitoruese kanë ngritur shqetësime të jashtëzakonshme.
Trajkoviq ka rikujtuar deklarimet e Joe Biden se SHBA-ja duhet të flasë sa herë që cenohet demokracia, dhe e ka pyetur ambasadorin Hill se “A je në një linjë me presidentin Biden”, ka shkruar Trajkoviq.
Hill sot ka deklaruar se “SHBA pret vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Serbisë, duhet zgjidhur mangësitë e vërejtura nga vëzhguesit”.
Ambasadori amerikan Christopher Hill ka publikuar një mesazh me rastin e zgjedhjeve në Serbi, në të cilin ka thënë se Qeveria e SHBA-së pret vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Serbisë për çështje me interes të përbashkët.
“Kjo, natyrisht, përfshin çështjet rajonale, por edhe dëshirën e Serbisë për t’u bërë plotësisht pjesë e familjes së kombeve perëndimore,” tha Hill në X.
Ai shtoi se Serbia duhet t’i arrijë shumë për të qenë e gatshme për këtë rrugëtim, e njëra prej tyre është sundimi i ligjit.
Siç tha Hill, zgjedhjet janë një “stres test” për demokracinë dhe kjo vlen për çdo vend.