Presidenti serb është fryrë ka dy ditë, duke akuzuar “një shtet Perëndimor” që i ka prishur atij “fitoren triumfale” në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi.
Pavarësisht se nuk e përmend, askush nuk e fsheh se e ka me Gjermaninë e Olaf Schols, vendin që e konsideron Beogradin zyrtar jo vetëm një shtet autokrat antidemokratik, por një strehë e sigurt e Vladimir Putinit në Ballkan.
E këtu qartësisht Albin Kurti ka qenë dhimbja më e madhe e kokës për autokratin e Serbisë, kur në ditën elektorale i ndaloi për herë të parë që të zhvillonte zgjedhjet e tij në veriun e Kosovës.
Asnjë qeveri e Kosovës nuk ja kishte ndaluar në të shkuarën mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e katër komunave të veriut. Këtë radhë, madje Albin Kurti ju dha mundësi fitoreje disa agjencive të transportit të Kosovës, që të çonin në qytetet matanë Jarinjës, të të gjithë atyre që donin të votonin për Serbinë. Duke futur edhe një sasi të madhe eurosh të paguara nga Partia Progrsiste Serbe.
Megjithatë, tmerri për Aleksandër Vuçiç erdhi të hënën, pak orë pasi ai dhe kryeministrja e tij kukull Brnabiç shpalli “fitoren historike”.
Gjermania, shteti më i fuqishëm i Europës i shpalli zgjedhjet parlamentare, rajonale dhe bashkiake të Serbisë, një operacion të manipuluar nga Aleksandër Vuçiç.
Praktikisht qeveria që do të instalohet nga këto zgjedhje, do të konsiderohet nga Perëndimi, si jo legjitime.
Ky qëndrim e ka gozhduar Aleksandër Vuçiçin në një pozitë të qartë të një lideri jo thjesht ilegjitim, por edhe të përkohshëm. Mbi të cilin mund të propozohet një zgjidhje politike, që si rezultante ka largimin e tij.
Gazeta më e madhe dhe e rëndësishme e Beogradit, ‘Danas’, në kryeartikullin e saj, thekson se tashmë Serbia po përgatit epokën post-Vuçiç.
Sipas Danas, Letra që Vuçiç ka paralajmëruar se do të informojë botën mbi ndërhyrjen gjermane në zgjedhjet serbe është një fjasko.
Pasi ndërhyrja gjermane nuk ekziston. Gjermania, thjesht ka thënë se zgjedhjet e 17 dhjetorit nuk kanë qenë as të lira as të barabarta. Ministria e Jashtme gjermane bëri të ditur se barazia u prish nga Vuçiç, që duhet të ishte i paanshëm dhe mbajti anën e Partisë Progresiste, pra partisë në pushtet, e nga ana tjetër, fondet publike u kanalizuan në klientelizëm.
Pasi koalicioni Serbia kundër dhunës i kërkoi zyrtarisht Bashkimit Evropian që të mos i njohë zgjedhjet në Serbi dhe të kryejë një hetim ndërkombëtar për abuzimet e regjimit të Aleksandër Vuçiçit, presidenti i Serbisë informoi opinionin se po përgatit një letër për t'i treguar “gjithë botës” për ndërhyrjen e një vendi të rëndësishëm të BE-së në rrethanat e brendshme dhe në procesin zgjedhor në Serbi.
Marija Stojanoviç, gazetare dhe analiste e Demostatit, thotë për Danas se këtë deklaratë të Vuçiçit e sheh para së gjithash si përgjigje të tij ndaj letrës që partia “Serbia kundër dhunës” i dërgoi institucioneve evropiane, me kërkesën që të fillojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsi zgjedhore, nën kujdesin e OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, me theks të veçantë në zgjedhjet për Kuvendin e Qytetit të Beogradit.
Deklarata e fundit e Vuçiçit është një tjetër dëshmi e qëndrimit hipokrit të qeverisë serbe ndaj BE-së, e cila pretendon se anëtarësimi në BE është synimi strategjik i Serbisë dhe më pas, për nevojat e publikut vendas, drejton gishtin te disa anëtarë të saj - përfundon Marija. Stojanoviç.
Sipas Biljana Gjorgjeviç, bashkë-presidente e Frontit të Gjelbër dhe kandidate për Serbinë kundër dhunës, Vuçiç po përdor teknikën "sulmi është mbrojtja më e mirë" në një përpjekje për të larguar vëmendjen nga diçka që është akuza jashtëzakonisht e rëndë.
Më ashpër se zakonisht kanë reaguar përfaqësuesit e ministrive të punëve të jashtme të Gjermanisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, si dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.
Ndaj Vuçiçit nuk i mjafton të përsërisë zgjedhjet, ai duhet të largohet për të krijuar premisat e një Serbie Europiane.