Analisti serb, Zlatoje Martinov në një intervistë, ka thënë se protestat që po ndodhin në Beograd janë ngjarje jo të zakonshme për një vend që aspiron të jetë pjesë e BE-së dhe se e quan veten shtet demokratik.
Martinov ka ngre paralele mes rënies së Sllobodan Millosheviqit dhe pakënaqësisë aktuale të krijuar ndaj Aleksandër Vuçiq, për dyshimet rreth manipulimit të zgjedhjeve lokale në Serbi.
“Demonstratat kaq masive janë fillimi i fundit. Mbaj mend demonstratat e ngjashme të studentëve në vitin ’96-97, Millosheviqi ishte detyruar të pranonte zgjedhjet lokale dhe pas dy-tri vjetësh është detyruar të binte. Gjërat po përsëriten, Serbia sillet në një rreth”, ka theksuar ai.
Sipas tij, problemi është se Perëndimi megjithatë e mbështet Vuçiqin duke besuar që ai ka për të bërë diçka në planin e marrëveshjes me Kosovën.
“Por nëse është për t’u gjykuar në bazë të sjelljes së tij në dy vitet e fundit, në veçanti pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit dhe planit franko-gjerman, janë dy gjëra që ai s’do të pranoj asnjëherë: pavarësinë e Kosovës dhe asnjëherë s’do të lejoj që Kosova të futet në ndonjë organizatë ndërkombëtare”, ka thënë ai, duke shtuar se nënshkrimi i marrëveshjeve nga ana e tij është mos implementim.
Ai ka thënë se Serbia do të dal humbëse në raport me akterët ndërkombëtarë në rast të mos përsëritjes së zgjedhjeve.
“Nëse zgjedhjet nuk anulohen dhe e tëra mbetet ashtu siç është tani, frikësohem që Serbia së paku në katër vitet e ardhshme ka për të shkuar prapa edhe në integrimin në Bashkësinë Evropiane edhe në aspektin e demokracisë”, ka deklaruar ai për RTK-në.
Analisti Martinov ka pohuar se ka pasur persona të cilët kanë ardhur për herë të parë në Serbi, e që kanë pasur të drejtë vote.
“Njerëzit që kanë ardhur, e që thuhet se janë mbi 40 mijë, kanë ndikuar drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale në Beograd edhe pse s’kanë jetuar asnjëherë, disa ishin për herë të parë veç sa për të votuar. Kjo pakënaqësi e njerëzve ka shpërthyer veçmas nga të rinjtë që duan ndryshime”, ka deklaruar ai.