Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, në një deklaratë për media pohoi se ndalimi i dinarit në Kosovë është një vendim që rrezikon serbët në Veri.
Daçist, shtoi gjithashtu se me këtë vendim “Kurti do të ketë një milion ide për të vërtetuar se ka diçka që në fakt nuk e ka, e që është shtetësia”.
Ministri i Jashtëm i Serbisë propagandoi në daljen e tij televizive se kryeministri i Kosovës synon përshkallëzime të reja.
“Kurti do të ketë një milion ide për të theksuar diçka që nuk e ka e që është shtetësia. Ideja e tij është të kalojë në përshkallëzime të reja”, ka pretenduar Daçiçi në televizionin në shërbim të pushtetit serb “TV Pink”.
Ai ka pretenduar se, “ashtu si dikush që ka nevojë për prova sepse të gjithë e dinë se është e kundërta, edhe Kosova dëshiron të shkruajë kudo Republika e Kosovës”.
“Edhe në fletëvotime kanë shkruar Republika e Kosovës për të vërtetuar se kanë shtet. Problemi është se bashkësia ndërkombëtare e toleron këtë dhe thotë se nuk mund t’i bëjnë presion Kurtit. Epo, ata nuk mund të bëjnë asgjë”, u ankua trashëgimtari i kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviç në krye të partisë së tij famëkeqe.
Ai gjithashtu ka pretenduar se “situata në lidhje me Kosovën është e turbullt”, si dhe se “ata duhet të kenë një politikë shtetërore që do të bazohet në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”.