Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovë Petar Petkoviç, ka deklaruar se pas takimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, të gjithë ishin dakord se Albin Kurti ishte fajtori kryesor, për heqjen nga përdorimi të dinarit.
Kabineti i presidentit serb Aleksandar Vuçiç ka njoftuar sonte se nuk do të ketë njoftim për takimin që ai ka zhvilluar me përfaqësuesit QUINT-it dhe të Bashkimit Evropian, duke thënë se çdo fjalë formale do të ishte e tepërt.
Petkoviç pas takimit u tha gazetarëve se Vuçiç nesër do të ketë bisedime të shumta në mënyrë që dikush ta ndalojë këtë sjellje të Albin Kurtit, duke shtuar se serbët në Kosovë dhe Metohi janë absolutisht të kërcënuar nga vendimi për anulimin e dinarit.
“Ne do të marrim vendime me durim, mençuri dhe përgjegjësi, me një qëllim afatgjatë. Presidenti Vuçiç në një ose dy ditë në vijim do t'i drejtohet publikut me të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me këtë temë, por edhe qëndrimin e serbëve në Kosovë dhe Metohi, i cili është absolutisht i kërcënuar nga ky vendim për heqjen e dinarit”, tha ai.