Senatori amerikan, Bob Menendez, ka njoftuar se është kundër aeroplanëve luftarakë të tipit F-16 në Turqi, duke thënë se ky shtet nuk e ka fituar besimin e mjaftueshëm që marrëveshja të çohet përpara.
“Sot, unë qëndrova i vendosur kundër shitjes së aeroplanëve luftarakë F-16, pajisjeve ndërlidhëse dhe municionit në Turqi. Më lejoni që të jem i qartë, Turqia nuk e ka fituar besimin e nevojshëm që kjo marrëveshje të vazhdojë tutje” – shkroi Menendezi në rrjetin X.
“Erdogani ka bërë të qartë vazhdimisht se ai nuk do t’i ndërpresë kërcënimet e tij ndaj aleatëve fqinj të NATO-s ose të fillojë që të veprojë në mënyrën që një aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara do të duhej të vepronte. Për më tepër, shpërfillja e të drejtave të njeriut nga qeveria turke dhe autoritarizmi i saj në rritje e bëjnë atë partnere të paqëndrueshme dhe jo të besueshme” – shkroi më tej ligjvënësi nga ShBA-ja.
Today, I stood firm against the sale of F-16 fighter aircrafts, associated equipment, and munitions to Turkey. Let me be clear, Turkey has not earned the trust necessary for this deal to proceed. (1/3)
— Senator Bob Menendez (@SenatorMenendez) February 29, 2024
“Shpreh keqardhje që dhënia e dritës së gjelbër nga Administrata e Bidenit për këtë shitje nuk kërkoi garanci më të mëdha nga Turqia për të drejtat e njeriut dhe për ndërprerjen e agresionit kundër fqinjëve të saj” – shtoi senatori amerikan.
Menendezi ka shprehur përkrahje për Kosovën. Vitin e kaluar, ai tha se Kosovës i duhet njohja reciproke nga Serbia për të arritur paqe afatgjate, e jo ndarje përmes Asociacionit.
Senati i Shteteve të Bashkuara të enjten mposhti bindshëm një përpjekje të senatorit republikan, Rand Paul, për ta ndalur shitjen e aeroplanëve luftarakë F-16 dhe pjesëve për modernizimin e tyre në Turqi, të cilën administrata e presidentit Biden e kishte miratuar, pasi Ankaraja ia kishte dhënë dritën e gjelbër hyrjes së Suedisë në NATO.
Senatorët votuan me 79 vota kundër rezolutës për shfuqizimin e shitjes miliardëshe, ndërsa vetëm 13 ligjvënës amerikanë në dhomën e lartë të Kongresit e përkrahën atë, raporton agjencia “Reuters”.