Analisti Arbnor Sadiku ishte këtë të martë i ftuar në një intervistë për Euronews Albania ku komentoi ndër të tjera edhe deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili tha se do të marrin atë (duke iu referuar Kosovës) që ju përket.
Sipas analistit nuk është e mundur që Serbia të Sulmojë Kosovën, kur dihet se kjo e fundit ka mbështetjen e hapur të ndërkombëtarëve. Ai tha se deklaratat e Vuçiçit vijnë në këtë formë për shkak të një “dhimbje koke te madhe”, të ndikuar nga fakti që Kosova po përparon, ndërsa shtoi se këto deklarata ai i bën për të parë edhe reagimin e ndërkombëtarëve.
“Unë nuk besoj se do guxojë Vuçiçi të sulmojë Kosovën, por me përparimin e luftës në Rusi ndaj Ukrainës, ai e shikon si një lloj ardhje e duhur në anën e Serbisë. Kjo është një balon diplomatik për të parë veprimet e ndërkombëtarëve.
Është një retorikë e tij populiste e cila vjen nga një dhembje koke e madhe e tij e për faktin se përparimi i Kosovës në raport me ndërkombëtarët e veçanërisht në Këshillin e Europës, vështirëson pozitën e Serbisë”,-tha analisti.