Mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviq, derisa ka folur në seancën e Kuvendit të Serbisë për votimin e ekzekutivit të ri serb, ka theksuar se sfida më e madhe në periudhën e ardhshme për qeverinë e re do të jetë lufta për Kosovën.
Ai foli edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
“Përveç shkeljes së re brutale të së drejtës ndërkombëtare, pranimi në Këshillin e Evropës do t’i shpërblente de fakto secesionistët për persekutimin, heqjen e të drejtës sistematike dhe shtypjen e popullit serb në Kosovë. Kohët e fundit janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim duke u deklaruar brenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe vazhdimi i punës në atë proces të turpshëm nuk do të jetë vetëm një akt poshtërimi i Serbisë, por edhe një akt kundër vetë bazave vlerësuese të asaj organizate ndërkombëtarë, anëtare e devotshme e së cilës është Serbia”, ka thënë Vuçeviq.
Vuçeviq nuk la pa e përmendur dialogun e Brukselit, ku sërish e paraqiti palën serbe si konstruktive, kurse Kosovën jo.
“Beogradi do të mbetet i përkushtuar ndaj dialogut me Prishtinën nëse rezulton se diçka produktive mund të rezultojë nga ai proces që do të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin në rajon. Megjithatë, do të ishte e papërgjegjshme të mashtrojmë veten se me ekstremistët e udhëhequr nga Albin Kurti është e mundur të bëhet ndonjë përparim thelbësor drejt normalizimit të vërtetë të marrëdhënieve dhe përmirësimit të kushteve të jetesës së njerëzve të zakonshëm”, ka pohuar Vuçeviq, shkruan Kosovonline.