Aktivistja e PSD-së, Donjeta Demolli, ka thënë se komunitetit LGBT u është mohuar në vazhdimësi e drejta e bashkimit dhe krijimit të marrëdhënies.
Demolli ka thënë se Kodi Civil duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës përmes secilit u garantohen të drejtat komunitetit LGBT+.
“Ne besojmë që në qendër të diskutimit për kalimin e Kodit Civil, por sidomos për lejimin e bashkësive civile të personave të komunitetit LGBT+, duhet me qenë parimi themelorë i barazisë dhe i të drejtave themelore të njeriut. Në shoqërinë vërtetë demokratike gjithëpërfshirëse çdo individ duhet të ketë mundësitë dhe të drejtat e barabarta pavarësisht cilit besim i përket, pavarësisht cilës etni i përket, apo pavarësisht orientimit seksual”, është shprehur Demolli.
Ajo tutje ka thënë se asnjë individi duhet të mos i mohohet e drejta për të dashur.
“Çka ka ndodh deri më sot që në drejtimin e jetesës apo bashkimit të komunitetit LGBT, atyre u është penguar kjo e drejtë, ata janë diskriminuar dhe margjinalizuar në vazhdimësi. Asnjë individi të mos i mohohet e drejta për të dashur apo për të krijuar marrëdhënie”, ka thënë Demolli.