​Kodi i ri doganor e akcizave hyn në fuqi më 26 maj, ja cilat janë ndryshimet

Lajme

​Kodi i ri doganor e akcizave hyn në fuqi më 26 maj, ja cilat janë ndryshimet

Më: 17 maj 2024 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Pas shpalljes në gazetën zyrtare, Kodi Doganor dhe i Akcizave do të hyjë në fuqi më 26 maj, ka njoftuar sot Dogana e Kosovës.

Aktet nënligjore të parapara me këtë Kod do të miratohen brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Deri në miratimin e këtyre akteve nënligjore, do të vazhdojnë të zbatohen aktet nënligjore ekzistuese, për aq kohë sa ato nuk janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të ri.

Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri, do të shfuqizohet kodi nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë, Ligji nr. 04/L-099 për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë dhe çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të ri.

Ky ndryshim i rëndësishëm synon të modernizojë dhe përmirësojë sistemin doganor dhe të akcizave në Kosovë, duke ofruar një kornizë më të qartë dhe më të efektshme.

Kodi i ri është hartuar për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të lehtësuar tregtinë, duke e bërë më të thjeshtë dhe më efikas procesin e doganimit për bizneset dhe individët.

Kodi i ri doganor dhe akcizave sjell disa ndryshime si në vijim:

Siguron një kornizë gjithëpërfshirëse për rregullat dhe procedurat doganore në territorin doganor të Republikës se Kosovës, duke përshtatur zhvillimet e fundit në fushën e tregtisë dhe mjetet moderne të komunikimit, duke siguruar sistem plotësisht të automatizuar.

Operatorët ekonomik përfitojnë plotësisht nga teknologjia e informacionit, e cila do të mundësojë reduktimin e barrës dhe shpenzimeve dhe do të përmirësojë efektivitetin e kontrolleve doganore (krijimin e balancës në mes kontrolleve dhe lehtësirave tregtare).

Janë përcaktuar kushtet dhe procedura me të cilën autorizohen agjentët doganorë, provimi profesional dhe licencimi i agjentëve doganor organizohet nga Dogana.

Janë përcaktuar në mënyre strikte afatet ligjore për nxjerrën e vendimeve nga Dogana, çka i mundëson subjekteve siguri juridike.

Përforcon procedurat më të shpejta për operatorët ekonomik të autorizuar (AEO) me mundësi të njohjes reciproke ndërkombëtare të autorizimeve sipas parimit të proporcionalitetit.

Autorizimi për përdorimin e një garancioni gjithëpërfshirës për të gjitha procedurat doganore.

Ndryshime për rregullat për strehimin e përkohshëm, duke përfshirë edhe zgjatjen e periudhës së strehimit nga 20 ditë deri në 90 ditë.

Obligimi për depozitimin e deklaratës përmbledhës për mallrat që sjellën apo dalin nga territori doganor i RKS-së.

Zhdoganimi i mallrave me autorizim të DK-së në ambientet e importuesit dhe thjeshtësimet tjera për operatoret ekonomik si zhdoganimi qendror, evidentimi në regjistrat e deklaruesit dhe vetëvlerësimi.

Procedurat e posaçme (PP ish PMNE) kanë pësuar ndryshime:

-te magazinat doganore kemi vetëm dy lloje (publike dhe private),

-është hequr procedura nën kontroll doganor PKD, tani pjesë e PB mallrat në përpunim të brendshëm (PB), me rastin e lëshimit të mallit në qarkullim të lirë të lëndës së parë ose produktit kompensues nuk aplikohet kamata kompensuese.

Me ligjin e akcizës përcaktohen obliguesit akcizor, lindja e obligimit të llogaritjes dhe pagesës së akcizës, në mënyre të detajuar, rregullat për autorizimin dhe shfuqizimin për magazinat akcizore, shtyrjen e pagesës, rregullat për përdoruesin e liruar i cili produktet akcizore i përdor në procesin e prodhimit me qëllim të prodhimit të një produkti jo akcizor dhe përdoruesit për shfrytëzim të burimeve të energjisë (energjentet).

Akciza për produktet e duhanit të vendosur në magazinë doganore apo magazinën akcizore duhet të paguhet më së largu deri 120 ditë nga realizimi i importit.

Me ligjin për kundërvajtje janë përcaktuar qartë një listë të veprimeve apo mos veprimeve që përbëjnë shkelje të rregullave doganore, lartësia e dënimeve ku për shkelje të sanksionuara duke marrë në konsideratë mënyra e kryerjes dhe shkeljet kategorizohen nisur nga fakti se a ka pasur qëllim apo neglizhencë.

Secila shkelje e sanksionuar është e ndërlidhur me nenet përkatëse te ligjit material çka siguron trajtim ligjor dhe siguri juridike me rastin e marrjes së vendimeve.

Janë zgjeruar kompetencat e oficerëve doganor në pajtim me praktikat e doganave të BE-së me qëllim të evitimit të vakumit ligjor dhe luftimit të evazionit fiskal, verifikimeve të transfereve bankare, mbledhjes se detyrueshme dhe ushtrimit të kontrolleve në territorin doganor të Kosovës.

Për mallrat e importuara nga udhëtarët, është vendosur pragu i ri vlerës nga deri 175 euro në deri në 300 euro për rruge tokësore dhe 430 euro në rrugë ajrore. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat