Policia e Kosovës është në kërkim të gjashtë personave që dyshohen për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë”, “lëndim i rëndë trupor”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “pjesëmarrje në rrahje”.
Të dyshuarit Abedin Likaj, Hajdin Likaj, Shaqir Likaj, Zenel Likaj, Isuf Likaj dhe Hajdar Likaj janë nga fshati Krajk i Prizrenit, e Policia kërkoi nga qytetarët që të lajmërohen nëse kanë informata mbi vendndodhjen e tyre.
Ata dyshohet se veprat e mësipërme i kanë kryer më 22 maj të këtij viti në fshatin Gjonaj.
“Kushdo që strehon kryesin e ndonjë vepre penale ose e ndihmon atë në shmangien e zbulimit ose arrestimit përmes fshehjes së mjeteve, provave apo në ndonjë mënyrë tjetër mund te dënohet sipas nenit 380 te KPK për VP Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale.
Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të kërkuar në foton e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftimin policor.