Duke komentuar faktin se Kuvendi i Kosovës ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq ka pretenduar se “ka dallim në mes kësaj dhe anëtarësimit të plotë në Aleancë dhe se ky status nuk përfshin detyrimin ligjor të anëtarëve tjerë të ndërhyjnë ushtarakisht”.
“Por u dërgua një sinjal shumë i keq”, pretendon shefi i diplomacisë serbe, duke thënë se “në këtë mënyrë regjimi i Kurtit u shpërblye për dhjetëra serbë të arrestuar dhe keqtrajtim të tyre, për ndalimin e mallrave serbe për 11 muaj, për shpronësime të paligjshme, për grabitje të kishave serbe, për grabitjen e bankave”.
“Është një sinjal se disa vende kanë filluar të zëvendësojnë doktrinën e respektimit të të drejtave të njeriut, prandaj gjoja e kanë mbështetur këtë projekt 25 vjet më parë për të promovuar sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe nuk më intereson arsyetimi i luftës në Ukrainë. Është fakt se është e pamoralshme të shpërblehet dikush që “vazhdimisht ka për qëllim” shkeljen e të drejtave të njeriut.
Kjo dëmton imazhin tashmë jo shumë të mirë të kësaj aleance në vendin tonë, edhe pse Serbia ka bërë përpjekje “për të krijuar marrëdhënie më të mira” partneriteti me NATO-n”, ka pretenduar Gjuriqi.