Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq ka thënë se pas votimit të Rezolutës për gjenocidin e kryer nga serbët në Srebrenicë në Kombet e Bashkuara, “kushdo që përpiqet të shtyjë diçka lidhur me Kosovën, tani e di se do të përballet me rezistencë të fortë të Serbisë”.
Në të njëjtën kohë, ai thotë se votimi në OKB ishte “sukses i madh të Serbisë” i cili arriti ta pengojë që Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Në përpjekje të servilizohet sa më tepër ndaj liderit suprem serb, Gjuriq e përmend atë si “vlerë shtesë për Serbinë” dhe se “ai nuk mund të mposhtet”.
“Ne disi kemi bërë me dije se kushdo që përpiqet të shtyjë diçka tjetër, ndoshta lidhur me Kosovën, ta dijë se do të përballet me rezistencë të fortë nga presidenti Vuçiq dhe Serbia. Fakti që presidenti ynë kaloi dy javë të plota në dy raste në muajin e kaluar në Nju Jork, ka dërguar një “mesazh të fortë” për komunitetin ndërkombëtar se Serbia është e gatshme të luftojë, nuk mund ta mposhtni një president i cili flet në çdo kohë, ditë e natë me kontaktet në mbarë botën, e që është një avantazh për ne”, ka pretenduar Gjuriq.