Familjarët tregojnë momentet e fundit të gardianit që humbi jetën pasi u rrëzua nga pema

Lajme

Familjarët tregojnë momentet e fundit të gardianit që humbi jetën pasi u rrëzua nga pema

Më: 29 maj 2024 Në ora: 20:36
Pamje nga video

Shkallën e vendosi me duart e veta.

Kështu Hasib Cokoviq nga Vraniqi i Istogut, mesditën e së dielës, iu ngjit qershisë prapa shtëpisë.

Por, 57 vjeçari, gjersa ndodhej në pemë, pësoi atak kardiak.

E si pasojë e kësaj, ra nga pema.

Axha i të ndjerit, tregon për momentet kur e gjithë familja u mundua t’ia jepte ndihmën e parë kryefamiljarit.

“Ka përjetuar shok dhe ka thirr gruan për të sjell ujë që ta kthjellim, ajo i ka hedhur ujë me shishe dhe unë kam ardhur për t’ia hapur gojën që t’ia nxjerr gjuhën dhe me ka ndihmuar edhe nusja për ta nxjerr gjuhën që ta ndihmojmë por nuk mundëm ma shumë sepse ishte i fortë dhe rreth 120 kg. Ndihma e shpejtë erdhi shpejt si me aeroplan. Ata e morën dhe pastaj nuk e di nëse ka pasur infarkt apo ka vdekur atje nuk e di edhe pse gjysmë minute pas sulmit isha aty por ai ishte i vdekur. Nuk di më shumë se kaq”, shprehet Rama Cokoviq, axha i të ndierit.

I ndjeri nga viti 2000 e deri me tani, kishte punuar si gardian në Burgun e Dubravës.

Ndërsa probleme me zemër, familjarët thonë se kishte qe disa vjet.

Rastin e kanë konfirmuar edhe në stacionin policor në Pejë.

“Policia me 26 maj, rreth orës 16:45 minuta është njoftuar se në fshatin Kovragë një person kishte rënë nga një pemë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, mjeku kujdestar e konstatuar vdekjen, është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të lirohet për ceremoninë e varrimit”, ka thënë zëdhënsi Fadil Gashi.

Për vdekjen e Cokoviq, është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Pejë.

“Prokuroria Themelore në Pejë, veç është njoftuar për incidentin që ka ndodhur dhe që ka humbur jetën viktima. Nuk ka pasur dyshime që të jetë implikuar faktori njeri apo të ketë përgjegjësi penale dhe për këtë çështje prokurori ka thënë që të kryhen procedurat në mënyrë të rregullt dhe nuk ka shkas që të implikohet prokurori i shtetit në këtë çështje”, ka thënë Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë.

Për vdekjen e Cokoviq, kanë reaguar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Përmes një telegrami ngushëllimi, SHKK ka thënë se Cokoviq, ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në punën e tij si gardian.

Gardiani nga komuniteti boshnjak, pas vetës ka lënë djalin dhe dy vajzat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat