Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, duke folur për bastisjen e fundit të Policisë në objektet e Kursimores së Postës së Serbisë në katër komuna në veri të Kosovës, ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i “dëshpëruar për shkak se padronët e tij ende nuk e kanë lejuar të hyjë në Këshillin e Evropës”.
“Pse serbët e Kosovës janë i vetmi komunitet në Evropë që nuk mund të punojë në mënyrë normale? A kanë serbët e Kosovës të drejtë në paga dhe pensione apo lejohet gjithçka kundër tyre? Këto nuk janë pyetje për ekstremistin Kurti. Ne e dimë qëndrimin e tij. Këto janë pyetje për komunitetin ndërkombëtar, i cili nuk po reagon ndaj keq bërjeve të Kurtit për një kohë të gjatë”, ka thënë Vuçeviq.
Ai theksoi se Serbia ka dy qëllime në Kosovë, e që janë është “mbrojtja e popullit dhe vendeve të shenjta dhe mbrojtja e interesave legjitime shtetërore” si dhe “ruajtja e paqes”.
“E vetmja mënyrë që serbët e Kosovës të mbijetojnë është të mos bien pre e provokimeve të regjimit të Kurtit dhe të mbeten në bashkëpunim me Beogradin zyrtar”, ka përfunduar ai.