Pas përplasjeve, Vuçiq e pret në takim politikanin gjerman në Beograd

Lajme

Pas përplasjeve, Vuçiq e pret në takim politikanin gjerman në Beograd

Më: 30 maj 2024 Në ora: 17:07
Michael Roth, Aleksander Vuçiq

Ndonëse me raport tejet të acaruar me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, politikani gjerman dhe kreu i komitetit për punë të Jashtme i Bundestagut, Michael Roth, ka udhëtuar drejt Beogradit për të takuar të parin e shtetit serb.

Për këtë takim ka njoftuar vetë Aleksander Vuçiq në llogarinë e tij në “Instagram”, duke e pranuar që biseda me politikanin gjerman ka qenë edhe e vështirë, gjë që nënkuptohet edhe nga fytyra e Vuçiq në takim.

“Një bisedë shumë e hapur dhe e vështirë me Michael Roth”, ka njoftuar Vuçiq.

Para udhëtimit në Beograd, Roth gjatë ditës së djeshme kishte qenë cak i politikanes serbe Ana Bernabiq, e cila kishte reaguar ndaj politikanit gjerman për shkak të falënderimit që Roth ia kishte bërë Malit të Zi për përkrahjen e Rezolutës për shpalljen e 11 korrikut Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.

Roth dhe Vuçiq kanë pasur përplasje të vazhdueshme në distancë për çështjen e zgjedhjeve në Serbi dhe gjithashtu edhe për tematika që ndërlidhen me Kosovën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat