Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, e ka shfrytëzuar takimin me shefin e misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Braathu, për të vazhduar propagandën e tij agresive kundër Kosovës.
Ai ka pretenduar se “një nga sfidat më të mëdha për Serbinë është situata në Kosovë, se nuk ka progres në normalizimin e marrëdhënieve” dhe se “serbët që jetojnë atje janë çdo ditë të ekspozuar ndaj presioneve, diskriminimeve dhe provokimeve të ndryshme”.
Ai gjithashtu ka përsëritur frazat demagogjike të shefit të tij Vuçiq, se “Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Gjuriq ka thënë se Serbia është mirënjohëse për ndihmën dhe mbështetjen që Misioni ka dhënë prej shumë vitesh në zbatimin e reformave në fushat që janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm të vendit të tij, veçanërisht në fushën e integrimeve evropiane, ka kumtuar ministria e tij.