Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpronësime në veri, reagon Lista Serbe

Lajme

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpronësime në veri, reagon Lista Serbe

Më: 31 maj 2024 Në ora: 19:57
Prona e Mashan Jovanoviqit nga Leposaviqi që parashihej të shpronësohej, maj 2023.

Lista Serbe tha sot se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e pronarëve të parcelave në komunat e Leposaviqit dhe Zubin Potokut “nuk është shpronësim, por një rrëmbim klasik i tokës serbe dhe pjesë e terrorizmit sistematik ndaj popullit serb në Kosovë”.

Në njoftim, kjo parti serbe në Kosovë thekson se ky vendim zbulon një qëllim të qartë “që përmes dhunës institucionale dhe represionit” të Kosovës “të bëhet spastrimi etnik i serbëve”.

“Ne presim që bashkësia ndërkombëtare të dënojë qartë dhe pa mëdyshje këtë vendim, d.m.th. marrjen e tokës nga pronarët serbë dhe kërkon një rikuperim në gjendjen e mëparshme, dhe heqjen e bazave të paligjshme me njësitë monoetnike parapolitike”, thuhet në deklaratë.

Qeveria e Kosovës paraditen e sotme ka mbajtur mbledhje në mënyrë elektronike ku njoftoi se është marrë vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në dy komuna në veri të vendit për projekte infrastrukturore.

“Vendimi Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat