Pas arrestimit të dy personave të nacionalitetit shqiptar sot në Ferizaj të dyshuar për spiunazh te organet famëkeqe të inteligjencës serbe (BIA), këta të fundit kanë reaguar duke mohuar lidhje me personat në fjalë.
“Agjencioni për Siguri dhe Informacion fuqishëm mohon të gjitha lajmet e rreme...që dy personat me inicialet B.S dhe M.Ç të arrestuar sot në Ferizaj të akuzuar për spiunazh me BIA-n”, ka shkruar shërbimi sekret serb, siç e citoi “Kosovo-Online”.
Ndryshe, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë dy personat e arrestuar sot në Ferizaj, nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
Shabani dhe Qerimi janë arrestuar sot në një aksion të Drejtorisë për Krime të Rënda të Policisë së Kosovës.
Dy të arrestuarit dyshohen se kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe në Kosovë.
Aksioni i Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës është duke vazhduar ende me bastisjen e pronave të dy të dyshuarve.
Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.