Arrestimi i ish-anëtarit të UÇK, Vulin i “vërsulet” Amerikës dhe ofendon shqiptarët

Lajme

Arrestimi i ish-anëtarit të UÇK, Vulin i “vërsulet” Amerikës dhe ofendon shqiptarët

Më: 5 qershor 2024 Në ora: 20:17
Vulin dhe Vuçiq

Aleksandër Vulin nuk e ka përtypur ende sanksionimin nga Shtetet e Bashkuara. Këtë e tregojnë fjalët e tij kundër Departamentit të Shtetit, që kërkoi proces të drejtë gjyqësor ndaj shtetasve të Kosovës të arrestuar nga Serbia me pretendimin për krime lufte.

Zëvendëskryeministri i Serbisë thotë se nuk pranon paralajmërime nga Amerika dhe ofendoi shqiptarët në Kosovë duke përdorur terma raciste.

“Në Serbi edhe për raste të tilla, vlen prezumimi i pafajësisë dhe parimi që aktakuza duhet të dëshmohet, gjë që nuk mund të thuhet për Departamentin e Shtetit kur ai prezanton sanksione ose komente mbi pikëpamjet e atyre që janë politikisht kundër tyre. Departamenti i Shtetit kurrë nuk i kërkoi Shqiptarëve një gjykim të drejtë për një dhjetëra serb të arrestuar dhe shpesh të rrëmbyer”, tha Vulin.

Vulin është sanksionuar nga SHBA-të për veprimet e tij destabilizuese në Ballkanin Perëndimor dhe për lidhjet e forta me Rusinë.

Dhe pikërisht Moska vijon dhe t’i mbajë sytë në rajonin tonë, mes dyshimeve se po tenton që të hapë një front të ri konflikti për të hequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë.

Në Shtëpinë Ruse në Beograd u hap forumi shkencor “Dialogu Ballkanik” me një zyrtar nga Moska që paralajmëroi se ky do të jetë një vit shumë domethënës për Ballkanin.

Drejtori i Shtëpisë Ruse, Jevgeni Baranov, tha se vendi i tij kërkon të shtrijë rrjetën e bashkëpunimit në më shumë vende të ish-Jugosllavisë, duke sinjalizuar se Rusia i ka vënë syrin Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Kurse, Leonid Drachevski, që mban postin si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Rusisë, thotë se për Moskën, Ballkani mbetet i rëndësishëm. “Lufta ishte, mbetet dhe do të vazhdojë”, u shpreh zyrtari rus duke shtuar se për të është interesante që çfarë do të ndodhë në rajonin tonë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat