“Kurti vazhdoi me shpronësimet ilegale në veri të Kosovës, edhe pse ndërprerja e këtyre veprimeve ilegale ishte obligim për të cilin u betua duke shpresuar për pranim në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, e themeluar për përhapje të propagandës kundër Kosovës, Petar Petkoviq.
Ai ka pretenduar se “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka aftësi vetëm që të vazhdojë të “terrorizojë” komunitetin serb, veçanërisht në veri të Kosovës”, gjë që, sipas tij, e demonstron çdo ditë me “aktet e tij të dhunshme dhe të njëanshme”.
“Dhe derisa Kurti ka më shumë se dy vjet që akuzon Beogradin se dëshiron trazira në rajon, doli se i vetmi i dhunshëm dhe zjarrvënës në Ballkan është Albin Kurti, i cili përveç dhunës, ua ndalon serbëve dinarin si dhe mundësinë e marrjes së pagave dhe pensioneve në Kosovë”, ka shtuar ai.
Siç ka pretenduar ai, me të njëjtin obsesion me të cilin, siç ka thënë ai, “ka përndjekur serbët në tri vitet e fundit”, ka mundur t’i përkushtohet përmbushjes së obligimeve nga dialogu dhe marrëveshjet e nënshkruara.
“Serbët tashmë do ta kishin të formuar Asociacionin dhe do ta kishin sigurinë e garantuar, të cilën nuk e kanë sot, pikërisht për shkak të Kurtit dhe falangave të tij parapolicore, duke vrarë dhe rrahur fëmijët serbë”, vazhdon me propagandën e tij Petkoviqi.
Ai ka thënë se Beogradi i “zbatoi të gjitha obligimet e tij nga dialogu” dhe ka shtuar se “reagimi i komunitetit serb ndaj terrorit shumëvjeçar nuk është alibi që Kurti t’i shmangë obligimet e tij”.
“Formimi i Asociacionit është në fakt në gjashtë pikat e para të marrëveshjes në Bruksel dhe dokumentet shoqëruese dhe Parimet e Përgjithshme nga viti 2015”, ka thënë ai.
“Asnjë nga parakushtet e Kurtit nuk janë dhe as nuk do të jenë bazë për formimin e tij, por shërbejnë vetëm për të shmangur obligimet e tij”, përfundon deklarata e Petkoviqit.