Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër

Lajme

Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër

Më: 15 qershor 2024 Në ora: 07:26 Përditësuar në ora: 13:27 më 15.06.2024
Vjosa Osmani

Osmani nga Samiti për Ukrainën: Do ta ndajmë tregimin e Kosovës se si u ndërtua nga zero në një model të demokracisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjendet në Zvicër në kuadër të Samitit të Paqes për Ukrainën.

Nga atje, Osmani deklaroi se Kosova i bashkohet thirrjeve të të gjithë atyre të cilët shtyjnë përpara konceptin e paqes së drejtë, të ndërlidhur me drejtësinë me viktimat që kanë vuajtur gjatë luftës.

“Siç e dimë nga përvoja e jonë e hidhur në Kosovë, nuk mjafton që thjeshtë paqen ta shohim si koncept të izoluar, pasi ajo në masë të madhe varet edhe nga drejtësia, drejtësia për viktimat, për ata që kanë vuajtur më së shumti gjatë luftës. Si Kosovë, besoj se jemi në pozicion me të gjithë të tjerët që marrin pjesë në këtë Samit që të ndajmë storjen tonë, tregimin e Kosovës si një shtet që është ndërtuar nga zero, si një shtet që ka vuajtur e sakrifikuar shumë. Megjithatë, jemi shndërruar në një model të demokracisë dhe aleancave të fuqishme”, tha Osmani përmes një lidhje direkte në Facebook.

Presidentja bëri të ditur se në Samit pritet të diskutohet për tri dimensione.

“Përgjatë samitit që do të fillojë me seancën plenare shumë shpejt, ne do të diskutojmë për tri dimensione kryesore. E para, që do të udhëhiqet nga shtetet më të fuqishme është siguria nukleare. E dyta, do të jenë dimensionet e tjera të sigurisë, siç është siguria ushqimore”. Kurse, i treti është dimensioni human, ku do të kontribuojmë më së shumti sepse kemi ndërtuar një sistem pas luftës që shpesh merret edhe si model se si ndërtohet një demokraci e qëndrueshme edhe pas shkatërrimeve që i shkakton lufta”, tregoi e para e shtetit.

Dhjetëra liderë botërorë janë mbledhur në Zvicër në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës mbi dyvjeçare në Ukrainë, por mungesa e zyrtarëve rusë dhe kinezë i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.

Osmani në Zvicër takon presidentin malazez, bisedojnë për rëndësinë e mbrojtjes së paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjendet në Zvicër në kuadër të Samitit të Paqes për Ukrainën.

Atje, e para e vendit u takua me homologun e saj nga Mali i Zi, Jakov Milatoviq, me të cilin diskutuan për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes.

Kështu bëri të ditur Osmani përmes një postimi në Facebook.

Shkrimi në Facebook:

Në kuadër të Samitit të Paqës për Ukrainën, me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović diskutuam për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes.  

Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër

Sot do të fillojë Samiti për paqe për Ukrainën, që do të mbahet në Burgenstok të Zvicrës, ku do të marrë pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.

Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.

“Presidentja Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme. Përgjatë qëndrimit në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë botëror”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat