Nuk janë të rralla rastet kur qytetarë të shumtë prezantohen rrejshëm si zyrtarë, me qëllimin për të qëruar hesape, për të përfituar apo për të dalë nga telashet në të cilat futen e motive të tjera. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur të hënën në veri të vendit.
I dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë ishte prezantuar rrejshëm kur është ndalur për kontroll nga Policia në Zveçan.
Media ka mësuar ekskluzivisht se personi që u prezantua gjoja si doganier i Kosovës dhe refuzoi t’ua jap dokumentet policëve është Dragoljub Markovic (46).
Për pasojë, 46-vjeçar i dyshuar, i cili ishte nën ndikimin e alkoolit, është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Prezantimi i rremë si person zyrtar’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull serb për shkak se kur ishte ndaluar nga njësiti policor ishte prezantuar si doganier i Kosovës, si dhe kishte refuzuar t’ua jap dokumentet personale, kartelën identifikuese dhe ti bëhej alkotesti pasi kishte qenë nën ndikim të alkoolit. Lidhur me rastin i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”