Kombi shqiptar në zi, pas vdekjes së kolosit të letërsisë dhe publicistikës, Ismail Kadare

Lajme

Kombi shqiptar në zi, pas vdekjes së kolosit të letërsisë dhe publicistikës, Ismail Kadare

Nga: Bota sot Më: 1 korrik 2024 Në ora: 09:11 Përditësuar në ora: 13:39 më 01.07.2024
Ismail Kadare

Shuhet Ismail Kadare/ Shkrimtari Dino: Vepra e tij është e gjallë, rishkroi historinë e Shqipërisë në kohë të vështirë

Shkrimtari Thanas Dino thotë se ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë është një humbje e madhe.

Në një intervistë, Dino u shpreh se vepra e tij është e gjallë dhe shtoi se Kadare shkroi historinë e Shqipërisë në kohë shumë të vështirë.

“Ishte një ditë që nuk e prisnim, por jeta ka të vetat. Është një humbje. Ismail Kadare ishte një mal i lartë. Ne e kishim si një orientim të madh, jo vetëm letërsia, por i gjithë populli dhe kombi hqiptar. Vepra e tij do lexohet dhe do njihet edhe më shumë akoma. Është shumë e vështirë, prodhimi i shkrimtarëve të mëdhenj edhe për kombet e mëdha. Krijohet rrallë, por është trashëgimi që përbën një shkollë për ata që shkluajnë sot, por edhe për ata që do shkruajnë edhe në të ardhmen. Ajo është letërsi që ka nevojë të rilexohet dhe të rikuptohet. Rinia do ta kuptojë tani që ai nuk do të jetë më, vepra e tij është e gjallë dhe reflekton shumë.

Ky është angazhimi dhe mbatja më mirë e veprës dhe fjalës së tij. Është një vepër monumentale, ai ka rishkruar historinë e Shqipërisë, në një kohë shumë të vështirë. Nuk është kaq dramatike, më shumë e ndjenim ne vetë, se ai vetë. Ai kishte merak ribërjen e shtëpisë klasike, sesa marrjen e çmimit Nobel. Vitet e fundit, pothuajse nuk e priste më. Shpirtërisht nuk e vuante më këtë gjë. Për ne, do ishte gjë shumë e mirë, por duke kaq i pretenduar për të, për ne, pothuajse e ka marrë”, theksoi ai.

“Ishte fëmijë i dashur me të gjithë”, flet miku i Ismail Kadaresë

Arkitekti Agron Doraci, njëherazi dhe shoku i shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, ka folur për raportin e tyre. Ai ka treguar në një lidhje nga Gjirokastra për “Tirana Live” se kanë qene fqinjë dhe që në atë kohë nisën shoqërinë së bashku.

Doraci është ndalur te ana njerëzore e shkrimtarit, duke thënë se ishte i shoqëruar me të gjithë. Ai ka theksuar se Kadare e donte shumë qytetin e Gjirokastrës, çdo detaj, sa që e përfshiu dhe në veprat e tij.

“Unë dëshiroj të them diçka për anën njerëzore të këtij njeriu të madh. Duke qenë se banoj në Gjirokastër, kam qene dhe gjiton, pasi sot asnjë nga familja Kadare nuk jeton në Gjirokastër.

Dua të them që familja Kadare është një ndër familjet më të shquara të Gjirokastrës, origjina e tij është shumë e fisme. Unë e kam njohur mirë familjen Kadare, kam pasur mik të veçantë babanë e Ismailit, pastaj dhe Ismailin. Ai që kur ishte fëmijë i dashur me të gjithë në lagje. Më vonë, kur arriti të bëhet një shkrimtar i madh dhe u largua nga Gjirokastra, vinte me një përmallim të madh. Unë ecja me të rrugës, teksa ai rrinte i heshtur dhe dukeshe sikur vinte nga një botë tjetër. Bisedonte me çdo gur dhe çdo element të rrugës që ne kalonim. Ai e ka dashur shumë qytetin e tij dhe Gjirokastrën e ka treguar dhe në veprat e tij.

Ne të dy jemi në një lagje dhe kalonim në të njëjtën rrugë kur shkonim në gjimnaz.

Me marrëzinë ai nënkuptonte të shkëputurit nga mentaliteti i njerëzve të zakonshëm, banal dhe shoqëror. Ishte jashtëzakonisht i dashur me njerëzit që kishte njohur që në fëmijëri. Do i ndalonte dhe do i takonte”, u shpreh ndër të tjera i emocionuar Doraci.

ASHAK: Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe

Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka shkruar se është lajm i trishtueshëm vdekja e shkrimtarit Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës”, thuhet në njoftimin e ASHAK.

ASHAK vlerëson se Kadar ishte anëtar i jashtëm i kësaj Akademie dhe përveç si shkrimtar, ‘ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe.

Kadare lindi në Gjirokastër, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe letërsi botërore në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11:00, mban mbledhje komemorative në nderim të veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë.

Sot, më 1 korrik 2024, është ndarë nga jeta shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare. Kolosi i letrave shqipe mbylli sytë përgjithmonë këtë të hënë.

Kurti: Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.

Në një postim në Facebook, Kurti shkroi se ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë.

Postimi i plotë:

Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë.

Ngushëllime të gjithëve.

​LDK me telegram ngushëllimi për vdekjen e Kadaresë: Sot bota shqiptare u zgjua në zi

Me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka dërguar telegram ngushëllimi.

“Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional. Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”, thuhet në telegramin e LDK-së.

Në komunikatën e lëshuar nga LDK thuhet se Kadare ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare.

“Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë. Kadare, ka fituar çmime dhe njohje të panumërta për mjeshtërinë e tij në letërsi, e po ashtu ai ishte përmendur shumë herë edhe si kandidat potencial për Çmimin Nobel në Letërsi”, është thënë në telegram ngushëllimi.

Kadare sipas LDK-së do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë.

“Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm. Po ashtu, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kujtojmë me mirënjohje angazhimin e tij të palodhshëm për çështjen e Kosovës, kontributi i të cilit është i paçmueshëm.

Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë. Dritë pastë shpirti i tij!”, përfundon telegrami i ngushëllimit.

“Gjiganti i letërsisë shqipe”, mediat e huaja shkruajnë për vdekjen e Ismail Kadaresë

Ismail Kadare ndërroi jetë mëngjesin e së hënës në moshën 88 vjeçare. Kadare ishte shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar disa herë për çmimin Nobel.

Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur jo vetëm opinionin shqiptar. Por të shumtë kanë qenë dhe mediat e huaja, të cilat kanë shkruar për vdekjen e shkrimtarit shqiptar, nga The Guardian, te Ansa dhe media greke Protothema.

Prestigjozja franceze “Le Monde” e ka krahasuar kolosin shqiptare me George Orwell ose Franz Kafka, i cili përdori metaforën dhe ironinë për të zbuluar natyrën e tiranisë nën Enver Hoxhën, i cili sundoi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985.

Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron i dha atij titullin Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit. Franca e kishte bërë më parë edhe bashkëpunëtor të huaj të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike, si dhe Komandant të Legjionit të Nderit.

“Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare romancieri shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare”, ky ishte titulli i Associated Press, duke i kushtuar një artikull shkrimtarit shqiptar, i cili u bë i njohur falë veprave të tij.

Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare Ismail Kadare, gjiganti i letërsisë shqipe”, kështu nis shkrimin “The Guardian”.

Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar që eksploroi historinë dhe kulturën e Ballkanit në poezi dhe letërsi artistike për më shumë se 60 vjet, ka vdekur në moshën 88-vjeçare, shkruan prestigjozja britanike.

"Ismail Kadare: Një dritë e ndritshme në ditët më të errëta të Shqipërisë", është ky titulli i “France 24”.

"Romancieri Ismail Kadare -i cili vdiq në moshën 88 vjeçare  përdori stilolapsin e tij si një armë vjedhurazi për t’i mbijetuar diktatorit komunist paranojak të Shqipërisë Enver Hoxha”, thuhet në artikull.

Për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare kanë shkruar edhe mediat fqinjë greke dhe italiane.

Protothema dhe Ansa i kanë kushtuar një lajm vdekjes së kolosit shqiptar.

Bislimi ngushëllon mbarë kombin shqiptar për humbjen e Kadaresë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka ngushëlluar mbarë popullin shqiptar për humbjen e poetit, Ismail Kadare.

Përmes një postimi në Facebook, Bislimi tha se krijimtaria dhe moria e dorëshkrimeve të tij, do të jetojë përherë mbi raftet tona të librave.

“Kështjella, Kronikë në gur, Pallati i Ëndrrave, Prilli i thyer, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Mosmarrëveshja. Këto janë vetëm disa nga qindra testamentet letrare që po lë pas pena e artë e shkronjës shqipe, Ismail Kadare.

Krijimtaria dhe moria e dorëshkrimeve të tij, do të jetojë përherë mbi raftet tona të librave. Për ta lexuar e kujtuar, vlerësuar e çmuar. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe mbarë kombit shqiptar për këtë humbje të madhe”, ka shkruar ai.

Shuhet Ismail Kadare/ Rama: I trishtueshëm lajmi i largimit nga mesi ynë i monumentit më të madh të kulturës shqiptare

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndarjes nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi të trishtueshëm lajmin e largimit nga mesi ynë i monumentit më të madh të kulturës shqiptare.

Mesazhi i Ramës për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë

Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.

“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

“Mendimin tuaj,

që ëndërron në trurin e butë,

si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,

do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;

gjersa të ngopem, idhnak e brutal.”

Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më💔

Mësohet shkaktari i vdekjes së Ismail Kadaresë

Shkrimtari Ismail Kadare ka vdekur sot në mëngjes, në moshën 88-vjeçare.

Burime pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë i thanë Radios Evropa e Lirë se Kadare “pësoi arrest kardio-respirator”.

Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër – një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë.

Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.

Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”.

Ai, gjithashtu, hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde.

Bën fjalë për historinë e një gjenerali italian, i cili shkon në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore për të marrë trupat e ushtarëve italianë.

Kadare është “një nga romancierët më bindës që shkruan në çdo gjuhë”, shkroi Wall Street Journal për të.

Konjufca ngushëllime “mbarë kombit shqiptar” pas vdekjes së Kadaresë

Ngushëllime mbarë kombit shqiptar, ka shkruar Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, për çka Konjufca tha se shqiptarët “mbetën pa ambasadorin më të shquar të tyre”.

Postimi i Konjufcës:

Me pikëllim të thellë mora lajmin se sot në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare. Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar.

Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe.

Si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij. Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit europian të shqiptarëve.

Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme.

Ngushëllimet më të sinqerta zonjës Helena Kadare dhe familjes Kadare!

Ngushëllime gjithë lexuesve dhe adhuruesve të librave të tij!

Ngushëllime mbarë kombit shqiptar!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat