Zyra e Petkoviqit ankohet se organet e Kosovës duan t’i shfuqizojnë institucionet e Serbisë

Lajme

Zyra e Petkoviqit ankohet se organet e Kosovës duan t’i shfuqizojnë institucionet e Serbisë

Më: 15 korrik 2024 Në ora: 14:32
Petar Petkoviq

E ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën në propagandën e radhës kundër Kosovës, ka pretenduar se në adresat e disa përfaqësuesve të komunës ilegale të Shtërpcës kanë arritur ftesa për seanca dëgjimore dhe biseda informative në Prokurorinë e Ferizajt dhe se punëtorët sot iu përgjigjën me rregull ftesës, duke theksuar se Albin Kurti “me këtë lloj dhune” dëshiron të shfuqizojë institucionet e Serbisë në Kosovë.

“Seanca dëgjimore që Prishtina po e zhvillon sot me urdhër të Albin Kurtit kundër punëtorëve të vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të Republikës së Serbisë në komunën e Shtërpcës ka të vetmin qëllim që të thyejë frymën e popullit në rrethin e Sirinicës dhe me frikësime shtesë t’i detyrojnë ata të largohen nga shtëpitë e tyre përmes presioneve”, pretendohet në kumtesën e zyrës serbe për propagandë kundër Kosovës.

Ata theksojnë se “kjo është një sjellje shumë shqetësuese të autoriteteve kosovare”, të cilët, sipas tyre, “fillimisht me vite i kanë mbajtur në mënyrë të paligjshme drejtuesit e komunës së Shtërpcës në kazamatet e tyre, dhe tani po i përndjekin edhe punonjësit tjerë.

“Me këtë lloj dhune institucionale, Albin Kurti dëshiron të shfuqizojë institucionet e Serbisë në Kosovë dhe Metohi dhe të fshijë gjurmët e ekzistencës serbe në këto treva”, pretendohet në këtë kumtesë.

Kjo e ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën ka kumtuar se ka njoftuar ndërmjetësuesin në dialog Miroslav Lajçak dhe misionet tjera relevante ndërkombëtare për “sulmin e ri ndaj serbëve”, duke kërkuar që ata të angazhohen dhe të ndalojnë “përndjekjen e re të përfaqësuesve të komunës së Shtërpcës”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat