Autori i sulmit në Loznicë të Serbisë, ku mbeti i vrarë një polic serb dhe u plagos një tjetër, është likuiduar. Këtë e ka konfirmuar ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
Mediat në Beograd raportojnë se i vrari është Faton Hajrizi, teksa kanë publikuar pamjet e rënda ku shihet kufoma.
Po ashtu, u publikuan edhe pamjet nga vendi ku raportohet se u vra Hajrizi.
“Pjesëtarët e policisë e likuiduan në afërsi të Loznicës”, citohet të ketë thënë Daçiq, siç raportojnë mediat serbe.
Autoritetet serbe sot e kanë shpallur në kërkim Faton Hajrizin, i cili dyshohej për vrasjen e policit Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e një tjetri, në Loznicë të Serbisë.
Faton Hajrizi, dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës dhe ishte në kërkim nga Policia e Kosovës.
Kujtojmë se nga të shtënat që ndodhën natën e 18 korrikut në Loznicë, një polic u vra dhe një tjetër u plagos rëndë.
Sulmuesi fillimisht u identifikua si Artan Hajrizi, por i njëjti tha për mediat e Kosovës se nuk ka gisht në vrasje dhe se vëllai i tij, Fatoni ia ka vjedhur dokumentet personale.
Për rastin janë arrestuar edhe tre persona në Serbi.