Fitore të vogël “por, të rëndësishme”, e ka quajtur Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, heqjen e regjimit të vizave në zonën Schengen për serbët e Kosovës që kanë pasaportat ilegale serbe të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese Serbe.
“Fitore e vogël por e rëndësishme për të drejtat e njeriut të serbëve në ‘Kosovë e Metohi’ (sic). E mirëpres vendinin e Këshilit të BE-së për heqjen e vizave për pasaportat serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese për ‘Kosovë e Metohi’ (sic)”, ka shkruar në “X”, Marko Gjuriq.
Ndryshe Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur sot në favor të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët serb të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë.
Vendimi u mor në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, të fundit për këtë gjysmëvjetor.
Miratimi i sotëm nga Këshilli përfundon procesin legjislativ. Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
“Këshilli miratoi një rregullore që siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t'i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke hequr përjashtimin e aplikuar më parë për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”, thuhet në komunikatën për shtyp të lëshuar në përfundim të takimit.