Vejvoda: Kushdo që të bëhet president i SHBA-së, s’do të ketë ndryshime në Ballkan

Lajme

Vejvoda: Kushdo që të bëhet president i SHBA-së, s’do të ketë ndryshime në Ballkan

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 18:27
Ivan Vejvoda

Fushata zgjedhore në Shtetet e Bashkuara po ndiqet me vëmendje edhe në Ballkanin Perëndimor.

Edhe pse vendet e këtij rajoni nuk presin që politika amerikane ndaj tyre të ndryshojë rrënjësisht – pavarësisht se kush do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë – secili prej tyre ka preferenca.

Ndërsa në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, më saktësisht në entitetin e Federatës së BeH-së, duan fitoren e kandidatit demokrat, në Serbi dhe në entitetin tjetër të Bosnjës, Republika Srpska, shumica dërrmuese është në favor të kundërshtarit republikan, Donald Trump.

Në Mal të Zi, tabloja është me shumë ngjyra, ndonëse shumica duket se anon drejt Trumpit.

Pritje më reale në Beograd

Është plotësisht e qartë se asnjë nga vendet që janë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, domethënë vendet anëtare të BE-së, SHBA-ja apo Kanadaja, nuk do ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe nuk do t’i ndryshojnë qëndrimet e tyre kryesore në politikën e jashtme, thotë Ivan Vejvoda, bashkëpunëtor hulumtues i Institutit për Shkenca Humane në Vjenë.

“Tani, pritjet në Beograd janë më reale dhe më të matura, pa vënë baste për njërin apo tjetrin kandidat, për dallim nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili është i bindur se Trump do të fitojë…”, thotë ai.

Vendimi i fundit i autoriteteve në Serbi për t’ia dhënë dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, rivitalizimin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit – pjesë e të cilit u shkatërruan gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 – interpretohet si një përpjekje për pozicionim më të mirë në rast se ish-presidenti Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Gjithashtu, Richard Grenell, i cili ishte i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Kosovën gjatë administratës së Trumpit, është një mysafir i mirëpritur në Beograd.

Në shkurt të vitit 2023, Vuçiq i dha medalje Grenellit me rastin e Ditës së Shtetësisë.

Ai tha atëkohë se Grenell ishte “një nga të paktët që u përpoq të kishte një qasje të balancuar dhe ta dëgjonte Serbinë”.

Nëse Trump fiton, të gjithë thonë se Grenell mund të bëhet sekretar i ri i Shtetit. Duke gjykuar nga numri i vizitave të tij në rajon në këta katër vjet, si dhe nga idetë dhe planet e ndryshme sipërmarrëse, atëherë marrëveshja me Jared Kushnerin për të ndërtuar një hotel në vendin ku është Shtabi i Përgjithshëm, do të thosha se do të mbetet ende një mundësi – sipas këndvështrimit të Trumpit dhe Grenellit – për të gjetur një zgjidhje”, thotë Vejvoda.

“Se çfarë forme do të ketë ajo, nëse do të kthehen në idenë e ndarjes [së Kosovës] apo do të kërkojnë mënyra të tjera, është vërtet vështirë të thuhet në këtë moment”, shton Vejvoda, shkruan REL.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat