Deklarata e të ashtëquajturës “Botë Serbe” me 49 nene po shndërrohet në një Kushtetutë të re për serbët në mbarë rajonin.
Parlamenti në Beograd, përmes një seance të jashtëzakonshme, diskutoi për shumë orë mbi dokumentin në fjalë, me një epiqendër përplasjesh, Kosovën.
Kryeministri Millosh Vuçeviç mbrojti deklaratën e botës serbe duke thënë se do të jetë një ombrellë për të gjithë serbët në rajon.
“Rekomandohen institucionet e Serbisë dhe Republikës Sërpska që të veprojnë në mënyrë të unifikuar dhe të koordinuar, për të ndalur asimilimin e serbëve në shtetet e rajonit, por edhe në botë. Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Republikës së Serbisë dhe integritetit dhe sovranitetit të saj territorial”, u shpreh kryeministri serb, duke harruar realitetin që Kosova është shtet i pavaruar dhe i pranuar ndërkombëtarisht me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Rroftë Kosova, rroftë Serbia”, tha Vuçeviç në përmbyllje të fjalimit.
Më pas, pati akuza mes deputetëve të opozitës dhe atyre të shumicës se cila palë po e pranon pavarësinë e Kosovës. Seanca u ndërpre, për të rifilluar sërish të mërkurën.