Takimi i presidentes me krerët politikë, a pritet marrëveshje për datën e zgjedhjeve?

Lajme

Takimi i presidentes me krerët politikë, a pritet marrëveshje për datën e zgjedhjeve?

Më: 31 korrik 2024 Në ora: 00:43
Vjosa Osmani

Të mërkurën, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbledhë përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve qendrore.

Ftesës së Osmanit i janë përgjigjur pozitivisht të gjitha partitë politike, që nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe LVV-ja.

“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, deklaroi Vlora Çitaku, disa ditë më parë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i është përgjigjur pozitivisht ftesës, po ashtu.

“Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do të japë qëndrimet e LDK-së”, ka thënë Besian Mustafa për mediat.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i dërgoi letër konfirmuese presidentes, duke i thënë se pas konsultimit me partinë, ka vendosur të marrë pjesë në takim.

Nga partia në pushtet, LVV, deri më tani raportohet se në takim do të marrë pjesë Glauk Konjufca, në vend të liderit të partisë, Albin Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat