Ky është pronari i kompanisë që dyshohet se i ngacmoi seksualisht punëtoret

Lajme

Ky është pronari i kompanisë që dyshohet se i ngacmoi seksualisht punëtoret

Më: 31 korrik 2024 Në ora: 08:28
Ilustrim

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Këto raste jo rrallëherë ndodhin në hapësira publike, kafeteri, qendra të ndryshme e madje edhe në vendet e punës. Mbrëmë u raporua për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në një biznes në Prishtinë, ku dy punëtore e raportuan shefin.

Media ka mësuar se personi që përfundoi në ndalim policor, nën dyshimet për ngacmim seksual është Besnik Krasniqi (rreth 45-vjeçar).

Viktima janë dy vajza, njëra e moshës 26 e tjetra 24 vjeç, të cilat e kanë denoncuar rastin të hënën në mbrëmje.

Siç merret vesh, dy të rejat kanë raportuar se pronari i kompanisë ku punojnë i ka ngacmuar seksualisht derisa kanë qenë në vendin e punës.

Pas dhënies së dëshmisë nga ana e dy viktimave, Policia është aktivizuar dhe ka arritur të sigurojë prezencën e personit të dyshuar.

I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari e ka mohuar kategorikisht se i ka ngacmuar seksualisht punëtoret e tij.

Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj tij dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Ngacmimi seksual”.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat