Biznesmeni i arrestuar për ngacmim seksual të dy punëtoreve shpëton nga paraburgimi - lirohet pas 48 orëve

Lajme

Biznesmeni i arrestuar për ngacmim seksual të dy punëtoreve shpëton nga paraburgimi - lirohet pas 48 orëve

Më: 2 gusht 2024 Në ora: 22:50
Besnik Krasniqi

Biznesmeni i arrestuar për ngacmim seksual, Besnik Krasniqi, pronar i “Etna Group” ka shpëtuar nga çfarëdo mase e sigurisë. Prokurori i Shtetit e ka lënë të lirë me arsyetimin se nuk janë përmbushur kushtet ligjore.

Ndaj Krasniqit, pas arrestimit është lëshuar urdhri për ndalim policor, por brenda afatit 48 orësh nuk është kërkuar as masa e paraburgimit e as ndonjë masë alternative.

Lirimin e tij e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.  

“Lidhur me këtë çështje, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ngacmimi seksual”, sipas KPRK-së dhe njëheri ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarit, në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Prokurori i Shtetit, duke pasur parasysh se në këtë fazë ka siguruar prova të mjaftueshme, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për të ushtruar kërkesë për caktimin e ndonjë mase ndaj të dyshuarit, prandaj rasti do të vazhdojë të trajtohet konform dispozitave të KPPRK-së.

Krasniqi, i cili është pronari i vetëm i kësaj kompanie po dyshohet se është i përfshirë në këtë skandal të ngacmimit të dy punëtoreve të tij – të cilat ishin punësuar në “Etna Group” qe disa muaj.

Edhe pse Prokuroria ka vlerësuar se nuk ekzistojnë kushtet për paraburgim, viktimat kanë dorëzuar prova, që i cilësojnë të mjaftueshme dhe që provojnë dyshimin për ngacmim.

Dyshimet për ngacmime seksuale, denoncim ky me të cilin u përball ditën kur u shoqërua në stacion, Krasniqi i ka mohuar kategorikisht para hetuesve policorë.

Burimet kanë bërë me dije se Krasniqi është lënë i lirë – por megjithatë ndaj tij është bërë edhe një denoncim tjetër, për veprën penale “Kanosje”.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat