Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Për një rast të tillë që ka ndodhur para disa ditësh në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë, Policia ka arrestuar një person.
I dyshuari i cili ka qenë në arrati dhe arrestuar sot nga Policia në Fushë Kosovë është Erzen Bytyqi.
28-vjeçar po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një vajzë 23-vjeçare pas një fjalosje të momentit, më 25 gusht.
Bazuar në informacionet e para, palët kanë qenë në rrugë kur janë kapur dhe kanë pasur një konflikt verbal që eskaloi më pas në sulm.
I dyshuari e ka goditur viktimën duke e rrëzuar përtokë dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit nga ana e 23-vjeçares, i dyshuari është identifikuar dhe është arrestuar.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.