Krasniqi tha se s’ka më vend për institucione të Serbisë në Kosovë, por ja çka deklaron Vuçiq

Lajme

Krasniqi tha se s’ka më vend për institucione të Serbisë në Kosovë, por ja çka deklaron Vuçiq

Më: 5 shtator 2024 Në ora: 10:52
Aleksandar Vuçiq

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha të mërkurën se “nuk ka hapësirë në Republikën e Kosovës për institucionet e Serbisë”, duke komentuar aksionin e së premtes për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit.

Krasniqi i tha Radio Televizionit të Kosovës se “kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”.

“Nga pikëpamja ime edhe si ministër është e papranueshme fakti që në territorin e Republikës së Kosovës, fushëveprimtarinë e tyre ta bëjnë edhe komuna paralele. Mbyllja e tyre pas 24 viteve sinqerisht nuk do të duhej të ishte temë, përkundrazi do të duhej të ishte problematikë nëse ne vazhdojmë dhe i lejojmë që ato institucione të veprojnë aty. Nuk ka hapësirë në Republikën e Kosovës për institucionet e Serbisë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Është obligim ligjor, kushtetues, është mandat jonë që ti mbështesim institucionet tona legjitime atje”, deklaroi Krasniqi.

Pak më herët të mërkurën, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se “nuk është e vërtetë se në Kosovë nuk funksionojnë institucionet serbe”, duke përmendur se “janë duke funksionuar dy më të rëndësishmet, shëndetësia dhe arsimi”, raportuan mediat në Beograd.

Vuçiq i bëri këto komente duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve gjatë një vizite në Podrinje.

Autoritetet e Kosovës të premten e javës së kaluar i mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të vendit, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës dhe kjo nxiti një reagim të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it u shprehën të shqetësuar dhe të zhgënjyer me moskoordimin për këtë, ndërsa Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europë dhe Euroazi, Jim O’Brien i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që t’i ndërpres veprimet e tilla.

Ndërkombëtarët kërkojnë që çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ata theksojnë “veprimet e vazhdueshme” të Qeverisë pa koordinim, pasi muajin e kaluar u mbyllën disa degë të Postës së Serbisë në veri, për të cilën patën kundërshti gjithashtu.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha të enjten gjatë një vizite në Serbi se partnerët europianë janë të shqetësuar me “lëvizjet e njëanshme të Kosovës”. Kurti iu përgjigj atij të premten duke thënë se Qeveria e tij po vendos ligj dhe rend publik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat