Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë qoftë nga bashkëshortët apo partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Vushtrri, ku një burrë u denoncua nga bashkëshortja e tij për dhunën e ushtruar ndaj saj.
Burimet e Gazetës bëjnë me dije se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari ka eskaluar në dhunë fizike, duke e goditur me grushte.
Për të mos mbaruar me kaq, burri edhe e ka kërcënuar gruan, duke e paralajmëruar se do ta vrasë nëse e denoncon në Polici.
Si pasojë e dhunës, viktima ka marrë lëndime trupore, ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’.