Vuçiq: Në Bruksel e shohin se kush e bllokon përparimin, por kurrë s’do ta thonë publikisht

Lajme

Vuçiq: Në Bruksel e shohin se kush e bllokon përparimin, por kurrë s’do ta thonë publikisht

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 23:39
Aleksandër Vuçiq

Një përplasje e gjatë – dhe nganjëherë e dhunshme – midis Kosovës dhe Serbisë për statusin e enklavave me shumicë serbe në Kosovën veriore dukej e gatshme për t’u rikthyer në vlim, ndërsa liderët e të dy vendeve shtuan retorikën me ofendime dhe akuza të ndërsjella këtë javë.

Pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti e akuzoi atë për “irracionalitet”, “dëshpërim” dhe për ndjekje të një “fushate agresive për konflikte të reja”, presidenti serb Alleksandar Vuçiq u kundërpërgjigj në një intervistë për POLITICO.

“Nëse mbajtja e zgjedhjeve demokratike është irracionalitet dhe agresion… OK, shumë faleminderit atij”, tha Vuçiqi.

Fajësimi i njëri-tjetrit pasoi thirrjet e liderit serb këtë javë për zgjedhje të reja komunale në veri të Kosovës për të lehtësuar tensionet që u ndezën në vitin 2023 kur komuniteti serb kryesisht bojkotoi votimin.

Serbët vendas donin të shprehnin pakënaqësi me Prishtinën, por veprimi rezultoi i kundërt kur kandidatët shqiptarë etnikë, që përfaqësonin pak më shumë se 3 për qind të elektoratit, i fituan zgjedhjet. Pavarësisht mungesës së një mandati të qartë demokratik, Kurti, një politikan i majtë që hyri në politikë si student protestues, i inkurajoi të zgjedhurit të merrnin detyrën dhe dërgoi njësitë speciale të policisë për t’i mbrojtur ata, duke shkaktuar një krizë që ka ndezur zemërimin në të dy anët e kufirit.

Që kur filloi mosmarrëveshja, një polic dhe tre persona të armatosur serbë u vranë në përleshje të armatosura në pjesën veriore të vendit shtatorin e kaluar. Për më tepër, dhjetëra ushtarë të NATO-s u plagosën gjatë protestave të mëvonshme ndërsa përpiqeshin të mbanin të dyja palët larg.

Qeveria e Kosovës ka konfiskuar qindra armë, duke përfshirë mitralozë, mortaja dhe granata antitank të gjetura gjatë bastisjeve të policisë në zonat e trazuara.

Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për të zbutur konfliktin, Bashkimi Evropian nuk ia ka dalë ta bëjë këtë. Këtë javë negociatorët e BE-së u përpoqën përsëri të bashkonin palët në Bruksel për një të ashtuquajtur takim trepalësh me të dërguarin special të bllokut për trajtimin e konfliktit, ish-ministrin e jashtëm sllovak Miroslav Lajçak, por ata refuzuan.

Të enjten, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ftoi liderët ballkanikë në një drekë pune në Bruksel për të diskutuar mbi agjendën e rritjes së BE-së dhe integrimin e rajonit në tregun e përbashkët evropian. Edhe pse Kurti dhe Vuçiqi morën pjesë, ata nuk folën.

“Ne nuk kemi kurrfarë marrëdhënieje”, tha Vuçiçi për POLITICO përpara udhëtimit.

Kritikët akuzojnë liderin serb se luan në të dyja anët e gardhit duke inkurajuar serbët vendas në Kosovë të rezistojnë dhe më pas duke luajtur viktimën kur Prishtina reagon.

Vuçiqi këmbënguli se ai nuk kishte asnjë interes për të ndezur flakën, pavarësisht faktit se qeveria e tij nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, të cilën ajo ende e konsideron një krahinë renegate.

“Unë nuk dua të marr pjesë në një fushatë anti-Kurti apo një fushatë ad-hominem kundër askujt”, tha Vuçiqi, duke shtuar se lidershipi i Kosovës dukej se ishte i fiksuar pas tij.

“Nëse lexoni atë që thonë çdo ditë, është gjithmonë Vuçiq, Vuçiq, Vuçiq”, vazhdoi ai.

Serbia vazhdon të mbështesë financiarisht serbët që jetojnë në Kosovë, veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.

Gjatë muajit të fundit, qeveria Kurti ka dërguar forca policore për të mbyllur dhe marrë ndërtesat që strehonin institucionet lokale paralele serbe në qytete si Mitrovica e Veriut, Zubin Potok dhe Leposaviq, një rajon me një popullsi prej rreth 80,000 banorësh, shumica prej tyre serbë.

Lëvizjet e fundit të Prishtinës provokuan protesta dhe pretendime se qeveria e Kosovës ishte e vendosur të “spastronte etnikisht” serbët nga zonat ku ata përbëjnë shumicën.

Kurti ka insistuar vazhdimisht se ai thjesht po zbaton kushtetutën e Kosovës, e cila i jep atij pushtet mbi të gjithë territorin e vendit.

Serbia këmbëngul që Kosova të respektojë marrëveshjet ekzistuese, duke përfshirë angazhimin nga marrëveshja e Brukselit e prillit 2013 për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, një organ politik që përfaqëson pakicën serbe të Kosovës.

Në përgjigje, qeveria e Kosovës ka kërkuar rihapjen e urës së lumit Ibër, një vendkalim i mbrojtur nga NATO që të çon në veriun me shumicë serbe të vendit.

Të dyja palët u takuan veçmas me zyrtarë të NATO-s gjatë udhëtimit të tyre në Bruksel.

Vuçiqi pretendon se Kosova po e bllokon përparimin në bisedime.

“Edhe pse njerëzit në Bruksel shohin se cila anë po e bllokon përparimin, ata kurrë nuk do ta thoshin këtë publikisht”, tha ai për POLITICO, duke pretenduar se “BE dhe amerikanët pajtohen me ne”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat