Antidroga e Policisë së Kosovës ka zbuluar ditën e sotme edhe një laborator të dyshuar për substanca narkotike.
Për rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Gazeta mëson ekskluzivisht se të arrestuarit janë: Kadri Gashi dhe Hasan Xhemajli i njohur si Viktor Bajçinca.
Për rastin sot ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili njoftoi se në Prishtinë është shkatërruar një laborator i drogës të llojit kokainë.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se laboratori i shkatërruar sot është i 19-të me radhë që tri vite qeverisje.
Ai njoftoi se përpos shkatërrimit të laboratorëve të drogave, gjatë tri viteve 40 grupe kriminale që janë marrë me këtë veprimtari janë shkatërruar e janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë sasi të llojeve të ndryshme të drogave.
Ndërsa, Policia e Kosovës, përmes një komunikate ka dhënë më shumë detaje rreth këtij aksioni.
“Pas një pune hetimore rreth dhjetë mujore dhe aplikimit të masave të veçanta të hetimit nga hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës me datë 21.09.2024, rreth orës 21:50, në rrugën “Hyzri Talla” në Prishtinë, në podrumin e një banese-vendbanimi është gjetur substancë e dyshuar narkotike në gjendje të lëngshme në enë plastike, e cila ishte në proces të terjes-ngurtësimit dhe substanca ende të pa detajuara si dhe mjete të punës të cilat janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike si “Laborator”.
Dyshohet që ky “Laborator” për përpunimin e substancave narkotike të llojit Heroinë dhe Kokainë është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë të gjatë kohore, ku pas përpunimit të substancave të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit”, thuhet në njoftim.