U pezullua nga shkolla shkaku i shamisë, Prokuroria në Pejë nis hetimet për rastin

Lajme

U pezullua nga shkolla shkaku i shamisë, Prokuroria në Pejë nis hetimet për rastin

Më: 23 shtator 2024 Në ora: 15:57
Ilustrim

Prokuroria Themelore e Pejës ka filluar hetimet lidhur me rastin e një nxënëseje nga Gjimnazi “Bedri Pejani” në Pejë, e cila u pezullua nga shkolla për shkak të bartjes së shamisë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

“Pasi kemi pranuar informatat përmes email-it zyrtar për rastin në fjalë, çështja i është ndarë një prokurorit të shtetit , i cili do ta trajtoj rasti se a ka elemente të veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, nga neni 190 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pasi t’i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme, atëherë prokurori i shtetit do vendos lidhur procedurat e mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.

Një nxënëse e klasës së 11 e cila u largua nga gjimnazi ‘Bedri Pejani’ në Pejë shkaku i vendosjes së shamisë, i kishte njoftuar paraprakisht drejtorinë, mësimdhënësit dhe gjithë stafin e shkollës për vendimin që kishte marrë lidhur me bartjen e shamisë.

Në letrën e saj drejtuar shkollës dhe institucioneve arsimore, nxënësja ka theksuar se dëshiron të ushtrojë të drejtën e saj për të zgjedhur veshjen fetare.

Sipas saj, vendimi për pezullim është në kundërshtim me nenin 55 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se të drejtat dhe liritë kushtetuese mund të kufizohen vetëm përmes ligjeve, dhe jo përmes udhëzimeve administrative.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat