Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Nju Jork se nuk ka zgjidhje efektive për problemet në Kosovë, derisa, sipas tij, të ndryshojnë rrethanat në botë dhe Serbia të mund të paraqesë kërkesat e saj në përputhje me Ligjin ndërkombëtar publik.
“Sikurse në botën moderne ende nuk ka kurë efektive për kancerin, e njëjta është për problemet tona sa i përket ‘Kosovës’. Për të mbajtur gjërat nën kontroll dhe që të jetë e mundur të jetohet – ky është obligimi ynë derisa rrethanat në botë të ndryshojnë, kur ne të jemi në gjendje të paraqesim kërkesa sipas normave të Ligjit ndërkombëtar publik”, tha Vuçiq.
Një ditë më parë, gjatë mbledhjes së Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Vuçiq i akuzoi shtetet perëndimore se po shkelin normat e OKB-së dhe po shkelin rezolutën 1244 të OKB-së.
Ai tha se aktualisht “nuk ka drejtësi për serbët në Kosovë”.
“Kur liderët këtu flasin me pasion për nevojën që Ukraina të jetë e lirë, për respektimin e OKB-së dhe Kartës së saj, rezolutave, unë mendohem se pse ata nuk e respektojnë Kartën e OKB-së dhe rezolutën 1244 kur bëhet fjalë për integritetin territorial të Serbisë”, deklaroi Vuçiq.
Ai po ashtu tha se Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës.
Gjatë fjalimit në OKB, Vuçiq tha se nuk u respektua Karta e OKB-së, kur NATO-ja bombardoi ish-Jugosllavinë, raporton REL.