Pas heqjes së masës së dorëzanisë ndaj Sinisha Nedelkoviq, të dyshuarit për laboratorin e drogës në veri, Gjykata pritet të marrë vendim të njëjtë edhe për të dyshuarin tjetër që e ka lëshuar Kosovën. Personi që u ndalua në kufi nga Policia e Kosovës ishte arrestuar në vitin 2022, ku u zhvilluan disa aksione në veri.
Media ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Milos Maksimoviq – Žuti, i dyshuar për laboratorin e drogës ku pronar ishte Nedelkoviq.
Edhe ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 30 mijë euro, e cila është thyer nga Maksimoviq.
Burimet e njëjta kanë bërë me dije se 36-vjeçari është ndaluar në pikën kufitare në Jarinje, gjatë hyrjes në Kosovë, të premten pak para mesnatës.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni Prokurori i Shtetit dhe me urdhër të tij Maksimoviq është ndaluar për 48 orë.
Brenda afatit ligjor, pritet të ushtrohet kërkesa e re për masën e paraburgimit, ndërsa paratë e dorëzuara si dorëzani do të derdhen në fondin për kompensimin e viktimave.
Kujtojmë se më 23 maj 2022, Policia dhe Dogana zhvilluan një aksion në fshatin Rudine të komunës së Zveçanit, kundër prodhimit ilegal të kriptovalutave, por që rezultoi me zbulimin e laboratorit të drogës – ku u gjetën të mbjella mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.
Pas një muaji nga ky aksion, Maksimoviq kishte rënë në prangat e Policisë së Kosovës.