Kardiokirurgia nga Kosova e cila jeton dhe vepron në Sarajevë tash e 25 vjet, Ilirjana Haxhibeqiri- Karabdiq konsideron se organizimi i Kongresit të katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës është i jashtëzakonshëm dhe fantastik, për çka tha se janë shkëmbyer përvojat më të avancuara në lëmin e kirurgjisë.
Në ditën e tretë të punimeve të këtij kongresi, që bëri bashkë mbi 500 pjesëmarrës nga vendi, rajoni dhe bota, Haxhibeqiri Karabdiq foli për Kardiokirurgjinë endoskopike.
Haxhibeqiri- Karabdiq: Organizimi i kongresit është fantastik dhe i jashtëzakonshëm
“Organizimi i Kongresit të katërt nga ana e Kolegjit të Kirurgëve është fantastik, me të vërtetë është organizuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Kemi pasur këto katër ditë…simpoziume në të cilët kanë qenë pjesëmarrës kirurgët e të gjitha degëve të kirurgjisë. Unë kam qenë në sesionin e Kardiokirurgjisë, ka pasur shumë pjesëmarrës që kanë ardhur nga qendrat e ndryshme evropiane, nga Zvicra, nga Gjermania, unë personalisht nga Bosnja dhe Hercegovina. Këtu së bashku i kemi shkëmbyer informatat e reja profesionale dhe atë çka është tash metodat më të avancuara në lëmin e Kardiokirurgjisë”, tha Haxhibeqiri- Karabdiq, derisa shpjegoi se çka ligjëroi në këtë kongres.
Haxhibeqiri- Karabdiq: Kardiokirurgjia endoskopike ndër metodat më të reja të trajtimit të pacientëve
“Unë kam folur për Kardiokirurgjinë endoskopike që në të vërtetë sot paraqet një ndër metodat më të reja të trajtimit të pacientëve me sëmundje valvulare, mitrale, trikuspidale dhe aortale. Kjo është metoda më e re që sot përdoret në Evropë ku incizionet janë shumë të vogla, janë një deri në dy centimetra dhe pacienti ditën e katërt pas treanit kardiokirurgjik mund të shkojë në shtëpi”, tregoi Haxhibeqiri- Karabdiq.
Kirurgia e zemrës e cila mban pozitë udhëheqëse në klinikë në kuadër të qendrës spitalore e universitare të Sarajevës dhe është profesoreshë e kardiokirurgjisë, Ilirjana Haxhibeqiri tha se karrierën e saj do ta vazhdojë në Sarajevë, porse shprehu entuziazëm për bashkëpunim me kirurgët kosovarë.
Haxhibeqiri- Karabdiq: Karrierën do ta vazhdojë në Sarajevë por jam entuziaste për bashkëpunim me kolegët në Kosovë
“Unë punoj në Sarajevë qe 25 vjet. Gjithmonë me entuziazëm vijë këtu. Kam dëshirë që të shihem me kolegët, që të flasim për Kardiokirurgjinë dhe posaçërisht duhet të them se organizimi i kolegjit të kirurgëve ka një rëndësi shumë të madhe si për ne që jemi jashtë edhe për kirurgët që janë këtu…Do të vijë çdo vit, por unë jam e martuar në Sarajevë, kështu që do të mbetem në Sarajevë, por gjithmonë do të kthehem me disponim të posaqë që të jem pjesë e kolegjit të kirurgëve dhe do të bojë me dashuro të shkëmbejmë”, potencoi Haxhibeqiri- Karabdiq.
Kongresi i katërt Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës ka një program shkencor që paraqesin përparime më të mëdha shkencore.
Ligjërata do të mbahen nga 50 ligjëruesë ndërkombëtarë dhe mbi 65 vendorë e rajonal.