Gazeta raportoi sot për arrestimin e dy punëtorëve të kompanisë turistike ‘Erona’ në Lipjan, nën dyshimet se e rrahën shoferin e një agjencie tjetër turistike. Dy të dyshuarit, njëri prej të cilëve i mitur, përfunduan në prangat e Policisë të shtunën pasdite. Konflikti në trafik i futi ata në telashe dhe ndaj tyre, Prokurori i Shtetit urdhëroi nisjen e hetimeve.
Kush janë dy të dyshuarit që u arrestuan dhe përfunduan në mbajtje?
Siç merr vesh gazeta dy punëtorët e dyshuar janë Arben Fazliu dhe i mituri S.Fazliu.
Arrestimin dhe ndalimin e tyre e ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar (njëri i mitur) pasi që të njëjtit dyshohet se pas një mosmarrëveshje në trafik, e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale tri shufra metalike. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”
Incidenti ka ndodhur te rrethrrotullimi në Lakrishte në Prishtinë, ku dy të dyshuarit, punëtorë të kompanisë ‘Erona’ u kapën me shoferin e kompanisë turistike ‘Memi Reisen’.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shoferi i autobusit të kompanisë ‘Erona’ bashkë me punëtorin e mitur, e kanë sulmuar fizikisht viktimën me grushte dhe me shufër metalike.
Pala e dyshuar, në bazë të informacioneve të para është futur në sherr me shoferin e kompanisë tjetër pasi fillimisht dyshohet se ia kanë zënë rrugën e më pas i kanë hyrë dajak viktimës.
Posa rasti është denoncuar, njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale tri shufra metalike.
Gazeta është në pritje për të marrë një version të ngjarjes nga ‘Memi Reisen’, ndërsa pas pak do të publikojë deklaratën e pronarit të kompanisë ‘Erona’.