Në Winterthur të Zvicrës, është përuruar xhamia shqiptare e quajtur “Winti”.
Njoftimi u bë nga Bashkësia Islame e Kosovës. Në përurim mori pjesë drejtori i Drejtorisë për Diasporën në BIK, Ekrem ef. Simnica.
Ai tha se kjo xhami nuk është thjesht një ndërtesë me mure dhe kube, por një vend i shenjtë, ku besimtarët do të gjejnë paqe shpirtërore.
“Do të forcojnë lidhjen e tyre me Zotin dhe do të zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta me njëri-tjetrin. Në këtë hapësirë të bekuar do të bashkohemi për të falur namazin, për të ndarë mësimet e fesë sonë dhe për të rritur vlerat e moralit dhe të drejtësisë. Kjo xhami është gjithashtu një simbol i përkushtimit dhe sakrificës së komunitetit tonë”.
“Ajo është ndërtuar me kontributin e përbashkët të të gjithë atyre që kanë ofruar kohën, pasurinë dhe energjinë e tyre për të realizuar këtë projekt. Kjo dëshmon për unitetin dhe forcën tonë, përkushtimin tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm”, njofton BIK.
Simnica, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, i dorëzoi një mirënjohje Kryesisë së xhamisë “Winti” në Winterthur të Zvicrës për kontributin dhe angazhimin e dhënë me rastin e ndërtimit të kësaj xhamie.