Aleksandër Vuçiç ka strategji të qartë në lojën gjeopolitike të shahut. Kështu e titullon media e Brukselit, Politiko, editorialin në të cilin analizon politikën e presidentit serb, i cili siç thotë është treguar i aftë në balancimin e raporteve me perëndimin në njërën anë, dhe Rusisë dhe Kinës nga ana tjetër.
“Vuçiç ka fituar reputacionin si shfrytëzues i mirë i çdo situate dhe aftësia për të pasur marrëdhënie të mira me të gjithë, i ka shërbyer mirë në skenën politike”, shkruan Politico, transmeton A2.
I joshur njëkohësisht nga kinezët, amerikanët, rusët dhe Bashkimi Europian, të cilët e shohin Serbinë si lojtar kyç në shahun global, ai ka arritur t’i bindë ata të gjithë, se ose është në anën e tyre, ose është në prag të bashkimit me ta.
Politiko vlerëson gjithashtu se është interesant fakti se lideri serb ka arritur të marrë mbështetje nga njerëzit më të fuqishëm në botë, mes të cilëve edhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Fakti që nuk pajtohet me gjithçka që ata thonë, është një taktikë që e bën Vuçiç më tërheqës, shkruan më tej portali.
“Edhe pse Vuçiç pretendon se Serbia është e përkushtuar t’i bashkohet BE, ka refuzuar vazhdimisht t’i bashkohet sanksioneve kundër Moskës për luftën në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, Vuçiç ka qenë i gatshëm t’i shesë municione perëndimit, duke e ditur mirë se ato do të përfundojnë në Ukrainë”, shkruan Politico.
Kjo mund të shpjegojë, vijon Politiko, se përse e zemërojnë sugjerimet se Putin e ka në xhep. “Vetëm një budalla mund të thotë se jam një marionetë apo agjent rus”, është shprehur ai.
I pyetur se çfarë merr Serbia nga Rusia dhe Kina, duke pasur parasysh se investitorët më të mëdhenj në Serbi janë evropianët, Vuçic ka thënë: përkrahjen për integritetin territorial të Serbisë, pra për Kosovën.
Politiko vlerëson se ngërçi midis Perëndimit dhe Rusisë për Ukrainën, shqetësimi se Kina po krijon një platformë evropiane në Serbi - ku ka investuar në autostrada, hekurudha dhe infrastrukturë të tjera, e po ashtu litiumi, i kanë dhënë Vuçiçit më shumë ndikim në marrëdhëniet me BE dhe Uashington se kurrë më parë.