Testet e para premtuese: Ky sheqer mund të ndihmojë kundër rënies së flokëve

Lajme

Testet e para premtuese: Ky sheqer mund të ndihmojë kundër rënies së flokëve

Më: 4 tetor 2024 Në ora: 11:56
80 përqind e burrave mbi 50 vjeç kanë të paktën një farë rënieje të flokëve

Çdo mëngjes, një vështrim i shqetësuar në pasqyrë – rënia e flokëve nuk është vetëm e mërzitshme për ata që preken, por gjithashtu një biznes i madh.

Vetëm në Britaninë e Madhe, burrat dhe gratë shpenzojnë rreth 150 milionë paund në vit për ilaçe pa recetë, raporton gazeta "Daily Mail". Ajo shpjegon se sa efektive janë medikamentet e ndryshme, apo jo – dhe cilat janë qasjet e reja për të parandaluar tullacërinë.

Shumë të prekur

Rreth 80 përqind e burrave mbi 50 vjeç kanë të paktën një farë rënieje të flokëve. Dhe pavarësisht dekadave të kërkimeve, ende nuk është gjetur zgjidhja përfundimtare. Medikamentet ekzistuese mund të stabilizojnë rënien e flokëve dhe të përmirësojnë pak dendësinë e tyre. Por një zgjidhje përfundimtare ende mungon.

Për shembull: Rreth një e treta e personave që përdorin "Regaine" (një locion shkumor me përbërësin aktiv Minoxidil, që nxit qarkullimin e gjakut në folikulat e flokëve) shohin pak ose aspak reagim. Dhe rreth një në njëzet ankohen për efekte anësore si rrahje të shpejta zemre, këmbë të fryra dhe dhimbje barku.

Gjithashtu, nuk ka prova të qarta për efektet e shampoos me kafeinë, megjithëse konsumatorët blejnë miliona shishe.

Kujdes: Medikamente më të forta kundër rënies së flokëve si "Propecia" janë lidhur madje me mosfunksionimin erektil te burrat.

Xheli me sheqer bën që flokët të rriten përsëri

Shkencëtarët në Universitetin e Sheffield-it kanë zbuluar se një lloj sheqeri që gjendet natyrshëm në trup (2-Dezoksi-D-Riboza) mund të stimulojë rritjen e flokëve kur përdoret në një xhel për skalpin e kokës.

Ky sheqer stimulon rritjen e enëve të reja të gjakut, duke transportuar gjak të pasur me oksigjen në organe dhe inde. Megjithëse kërkohen më shumë kërkime dhe ende nuk ka një ilaç të gatshëm, rezultatet e para japin shpresë.

Medikamentet kundër alergjive sezonale

Miliona njerëz i marrin ato gjatë sezonit të poleneve. Tani rezultatet e kërkimeve sugjerojnë se disa ilaçe kundër alergjive mund të përmbajnë gjithashtu sekretin për të luftuar rënien e flokëve.

Veçanërisht "Cetirizina" është në qendër të interesit, një antihistaminik. Disa studime kanë zbuluar se një solucion me 1 përqind Cetirizinë mund të luftojë edhe rënien gjenetike të flokëve.

Kremi me "Vitaminë Dielli"

Një mungesë e vitaminës D (e cila prodhohet nga trupi përmes ekspozimit në rrezet UV të diellit) rrit ndjeshëm rrezikun e rënies së flokëve – ai ndërpret ciklin e rritjes dhe dobëson dermën, shtresën e lëkurës që mban flokët në vend.

Një studim i ri në "Journal of Nutrition Biochemistry" ka zbuluar se minjtë tullacë, pas marrjes së vitaminës D, rritën flokë të rinj. Mendohet se vitamina kompenson efektet e dëmshme të DHT-së mbi folikulat e flokëve të ndjeshme.

Sidoqoftë, është e pamundur që një krem me vitaminë D të ketë ndonjë efekt për pacientët që nuk kanë mungesë të saj, paralajmëron Dr. David Fenton, një dermatolog në Londër.

Ilaçet kundër artritit Medikamenti "Ritlecitinib" fillimisht u zhvillua për pacientët me artrit reumatoid, te të cilët sistemi imunitar sulmon gabimisht nyjet. Një gjë e ngjashme ndodh me rënien inflamatore të flokëve, Alopecia areata: sistemi imunitar sulmon folikulat e flokëve. Në testimet me pacientë me artrit, mjekët vunë re se pacientëve me zona tullacë iu rritën flokët e reja.

Por, sipas Dr. Fenton, këto medikamente duhet të përdoren me kujdes dhe vetëm me konsultimin e mjekut. "Këto janë ilaçe të mira, por nuk janë mrekullibërëse. Përveç kësaj, ato mund të kenë efekte anësore të pakëndshme, që shkojnë deri në formimin e mpiksjeve të rrezikshme të gjakut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat